Tritan Shehu dhe Bledion Nallbati janë zënë ashpër në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, teksa po diskutohej pas marrëveshjes që u bë me PS-në për normalizimin e punës së Kuvendit.
Deputeti Tritan Shehu ka këmbëngulur sërish në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike që të ngrenë si shqetësim çështjen e arrestit në shtëpi për Sali Berishën.
Për të, nuk ka asnjë rëndësi ngritja e ndonjë komisioni hetimor. Në bisedën e siguruar nga gazetari Osman Stafa, Shehu është përfshirë në debate me deputetin tjetër opozitar, Bledion Nallbati.
Tritan Shehu: Duhet të ngremë çështjen e Sali Berishës, pasi lideri i opozitës është i burgosur. Dhe po ua them, unë nuk do të marr pjesë nëse do të ngrihen Komisionet Hetimore Parlamentare në Shëndetësi, sepse unë nuk e konsideroj fitore dhe nuk është asgjë të ngresh komisione hetimore. Natyrisht duhet të përqendrohemi tek reforma zgjedhore. Por as ligjet nuk kanë rëndësi, më shumë sesa kauza e liderit të opozitës që është i burgosur dhe kjo është e paprecedentë. Të vazhdojmë aksionin tonë në parlament pavarësisht se për çfarë po negociojmë, derisa të lirohet lideri ynë Sali Berisha…
Nallbati: Po doktor, unë jam shumë dakord për çfarë the, madje jam i mendimit që ta përshkallëzojmë edhe më shumë, por të jesh ti i pari në betejë dhe unë pas teje. Po në këto 6 muaj nuk ke bërë asgjë në protestën tonë në Parlament dhe thua ta vazhdojmë. Dil ti i pari, bëj një gjë dhe të ndjekim ne nga pas.
Tritan Shehu: Me mua mos u merr se ti nuk je niveli im. S’të jap llogari ty unë.
Baçi: Po lëre, secili ka mendimin e vet. Gjithësecili të thotë të vetën.
Shehu: Pusho edhe ti!
Nallbati: Mos u merr me mua!
Shehu: Mos u merr ti me mua.
Flamur Noka shoqëron Nallbatin për të dalë jashtë mbledhjes dhe ul gjakrat mes palëve. Pas mbylljes së mbledhjes, Flamur Noka kërkon që dy deputetët të sqarohen, dhe i kërkon Nallbatit që ta shoqërojë për të sqaruar momentin me Tritan Shehun.
Kur vihen përballë, Tritan Shehu i drejtohet me tonë të larta dhe akuzuese deputetit demokrat: Maskara, ti nuk je niveli im. (vazhdon me sharje të ndryshme). Ndërsa përgjigje pati edhe nga Nallbati, i cili mësohet t’i jetë kundërpërgjigjur me fjalët “bandit”. Ndërsa Flamur Noka ka tentuar vazhdimisht të qetësojë dy deputetët. Tritan Shehu i është kthyer edhe Nokës, duke i thënë: Po t’i pse nuk mbajte krahun tim?
Shehu sqaron ‘sherrin’
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka folur për mediat pas mbledhjes me dyer të mbyllura të Grupit të PD, ku siç u raportua ai pati edhe një përplasje me kolegun Bledion Nallbati.
I pyetur për gazetarët në lidhje me këtë debat, Shehu me ironi tha:“Nuk kanë funksionuar mirë çimkat”.
Ndërsa sa i takon vazhdimit të aksionit opozitar, Shehu u shpreh se ky aksion duhet të përqendrohet te ajo që ai e quan si ngjarjen më të rëndë, burgosjen e Sali Berishës. Ndërsa format e aksionit, tha Shehu, duhet të diskutohen.
Ai theksoi se marrja e dy komisioneve nuk është sukses.
“Unë kam thënë këtë gjë, që edhe nëse jepen komisionet, nuk janë suksese, sepse situata është përkeqësuar me burgosjen politike të Berishës. Pastroj forma e aksionit është një gjë që diskutohet. Por mos mendojmë që ne nëse marrim dy komisione arrijmë suksesin. Në suksesin nuk e kemi me PS apo Edi Ramën, suksesin e kemi me përkrahjen e elektoratit tonë”, tha Shehu.
Pse lindi debati me Nallbatin?
Shehu: Çimkat nuk kanë punuar mirë. Unë thashë mendimet e mia. Duhet të koncentrojmë aksionin tonë në atë që është ngjarje me e rëndë ndaj opozitës, që është izolimi i kryetarit të partisë dhe ky aksion duhet bërë i tillë, brenda parlamentit, jashtë parlamentit, në çdo tribunë. Format janë për t’u diskutuar së bashku.
Pra ju jeni që të mos ndërpritet kaosi?
Shehu: Unë thashë që duhet të koncentrojmë betejën politik te izolimi dhe burgosja e kryetarit të Partisë. Ne nuk duhet të fshihemi pas gishtit. Kjo është kauza jonë. Si do ta realizojmë këtë beteje politike? Është e larmishme, nuk është vetëm në parlament, nuk është vetëm në Strasburg, nuk është vetëm në Bruksel, por është në Tiranë, Shkodër dhe kudo.


