Shqipëria merr kryesimin e Komitetit Këshillimor Rajonal i Kërkim‑Shpëtimit Aeronautik

Shqipëria merr kryesimin e Komitetit Këshillimor Rajonal të Kërkim-Shpëtimit Aeronautik (RASARAC) për vitin 2026, duke shënuar një tjetër zhvillim pozitiv në angazhimin e saj për sigurinë ajrore dhe bashkëpunimin rajonal.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes, e cila vlerëson këtë rol si një përgjegjësi të rëndësishme dhe një mundësi për të forcuar më tej bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit, shkëmbimin e informacionit dhe zbatimin e praktikave më të mira evropiane në fushën e kërkim-shpëtimit aeronautik, në bashkëpunim me partnerët rajonalë dhe EUROCONTROL.

Gjatë kryesimit, fokusi do të jetë në rritjen e ndërveprimit operacional, zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta dhe organizimin e ushtrimeve praktike, me synim forcimin e kapaciteteve rajonale të kërkim-shpëtimit aeronautik dhe mbrojtjen e jetës njerëzore.

Ministria e Mbrojtjes thekson se ky angazhim konfirmon rolin e Shqipërisë si një partner aktiv, i besueshëm dhe konstruktiv, në shërbim të sigurisë ajrore dhe bashkëpunimit rajonal.

Reviews