Ekuadori përfshihet nga një tjetër valë kaosi e dhune, persona të veshur si ushtarakë bëjnë masakër në fermë, vrasin 7 persona

Persona të armatosur dhe të veshur me uniforma ushtarake vranë 7 persona në një bastisje të papritur në një fermë në Ekuadorin perëndimor, tha policia të hënën.

Sulmet nga autorë të panjohur me uniforma ushtarake janë bërë të zakonshme në vendin e Amerikës Latine, i cili është i rrënuar nga bandat e trafikantëve të drogës që punojnë me kartele ndërkombëtare dhe luftojnë për kontrollin e zonave strategjike të trafikimit dhe shpërndarjes së drogës.

Masakra ndodhi në provincën perëndimore të Manabi, ku që nga 2 janari është vendosur gjendje e jashtëzakonshme, së bashku me tetë provinca të tjera.

Sulmi, i cili ndodhi në agim, la “shtatë persona të vdekur nga plumbat”, përfshirë një 16-vjeçar, tha policia nëpërmjet WhatsApp.

Dhjetë burra, “të veshur me uniforma ushtarake”, sulmuan një hacienda (një fermë të madhe) në komunitetin e Hama dhe filluan të qëllonin “me pushkë” dhe “me pistoleta”.

Përpara se t’i vrisnin, autorët i çuan viktimat në një oborr, i morën në pyetje, më pas i ekzekutuan dhe ikën nga deti.

Vendndodhja strategjike e Ekuadorit e ka bërë vendin një portë hyrëse për kokainën kolumbiane dhe peruane të destinuar për tregjet e SHBA-së dhe Evropës.

Duke i shpallur luftë trafikut të drogës, presidenti ekuadoras Daniel Noboa ka vendosur ushtrinë kundër bandave. Por numri i vrasjeve jo vetëm që nuk u ul, por u rrit ndjeshëm: arriti në 9,216 në vitin 2025, një rekord tragjik.

Vendi tani ka një shkallë vrasjesh prej 52 për 100,000 banorë, një nivel pa precedent historik, sipas vlerësimeve të Observatorit të Krimit të Organizuar.

Reviews