Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta u shpreh në një intervistë për mediet nga qelia e paraburgimit ku ndodhet që prej tetorit të vitit të kaluar, ku u shpreh se akuzat ndaj tij për mosdeklarim pasurie janë të turpshme dhe skandaloze.
“Sipas ligjit të ILDKPI unë kam bërë deklarimet e pasurisë dhe të ardhurave çdo vit dhe kurrë nuk kam marrë një vërejtje, paralajmërim apo gjobë nga ky institucion. Po kështu, deklarimi im ka qenë i dyfishtë edhe si subjekt i drejtpërdrejtë, por edhe si person i lidhur për shkak të pozicionit të ish-bashkëshortes time e cila ka qenë deputete”, u shpreh Meta.
“Ligji e bën të qartë se ti s’mund të mbash përgjegjësi për deklarimet e familjarëve të tu. Dihet publikisht se ish-bashkëshortja ime dhe nëna e saj kishin bashkëpronësi në një pallat të ndërtuar në tokën e tyre, pallat i firmosur edhe nga Rama edhe nga Basha si kryebashkiakë të Tiranës”, tha Meta.
Meta shtoi më tej se ai “nuk mund të kontrollonte dhe as nuk ishte kurioz sesi “shtoheshin e pakësoheshin llogaritë e tyre bankare nga shitjet e apartamenteve apo për interes të tyre”.
“Pra zero mosdeklarim nga 32 vite jetë publike të hetuar ndaj meje nga SPAK-u dhe Edi Rama”, tha Meta.
Sa i takon lobimit, Meta tha se “për fatin e tyre të keq, qindra letër-porosi të nisura kudo kanë rezultuar një zero me xhufkë, ndaj nën urdhrat e Ramës dhe te McGonigalëve vendosën të më “sekuestronin” mua fizikisht, duke më rrëmbyer si banditë rrugësh pa asnjë shkresë dhe akt zyrtar”.
“Kurrë as kam firmosur ndonjë pagesë apo dhënë ndonjë autorizim për pagesa të paligjshme. Kontratat me kompanitë lobuese miratoheshin në kryesi dhe caktoheshin personat përgjegjës për të firmosur ose ndjekur ato”, tha Meta më tej.
Meta nënvizoi më tej se në çdo rast do të kandidoj dhe zgjidhet deputet në 11 Maj.
“E rëndësishme është që të gjithë faktorët opozitarë të vërtetë të bashkohen në betejë kundër narkoregjimit. Partia e Lirisë është përballë një sfide të jashtëzakonshme dhe unë jam i bindur se do kalitet dhe rritet për shkak të kauzave të mëdha që ajo përfaqëson e mbron”, tha Meta.
Meta u bëri thirrje anëtarëve të Partisë së Lirisë “të mos e shpërdorojnë mundësinë historike të 11 majit për ndryshim”.
“Indiferenca është aleati më i mirë i narkoregjimit ndërsa ballafaqimi e përballja është e vetmja rrugë për shembjen e kësaj kalbësire imorale dhe antishqiptare”, tha Meta.


