Ditën e sotme është mbledhur grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Kreu i PD-së Sali Berisha në fjalën e tij u kërkoi deputetëve demokratë që të udhëtojnë për takime me diasporën, kudo që ata kanë lidhje të efektshme.
“Grupi parlamentar, çdo deputet është i ftuar të koordinojë me qendrën këtu, çdo takim të mundshëm që mund të organizojë me emigracionin. Kështu që ne do të bazojmë fushatën tonë në qindra e qindra takime ku secili prej jush, aty ku ka lidhjet dhe mundësitë. Por ne duhet ti qëmtojmë, ti gjejmë dhe gjatë kësaj periudhe të përparësojmë me këto takime”, tha Berisha.
Berisha theksoi me tej se secili duhet “të marrë përsipër të paktën të trefishojë votën e tij, edhe me dy vota të tjera nga diaspora”.
“Kështu që do bëni edhe me grupet, sipas mundësive që keni, të organizohen grupe deputetësh, 4-5-6 mund të shkojnë në SHBA, vetëkuptohet me shpenzime personale, se ky është buxheti.
Të tjerë mund të shkojnë në Gjermani, Greqi, Itali dhe kudo ku keni lidhjet më të efektshme. Përdorni klubet, lokalet e shqiptarëve. Përdoren, siç e bënë ata, sallë shkolle në Britaninë e Madhe, përdoren gjëra me çmime të përballueshme”, tha Berisha.
Berisha shtoi me tej se kjo fushatë duhet të përfshijë të gjithë botën.
“Them që ne të bëjmë gjithçka dhe të përgatisim në këtë mënyrë, fitoren e thellë të opozitës shqiptare, të PD-së dhe aleatëve të saj. Aleatët e PD, edhe ata të përfshihen në këto grupe, sipas njohjeve dhe mundësive”, tha Berisha.
Sipas Berishës “elektorati jashtë vendit është të paktën në masën 70%, për të mos thënë më shumë, është antiqeveri”.
“Potenciali ynë është i jashtëzakonshëm në diasporë dhe emigracion. I them këto se, votimi me sistemin e përcaktuar është realisht mundësia e vetme e tyre për të ushtruar të drejtën kushtetuese”, tha Berisha.


