Zhelinë, 10 janar – Në sektorin policor Grupçin, Komuna e Zhelinës prej sot filloi të punojë zyra e re e Shërbimeve administrative të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ku qytetarët do të mund të parashtrojnë kërkesa dhe të marrin dokumente personale – letërnjoftime, patent shoferë dhe pasaporta.
Ministri i punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski deklaroi se në këtë mënyrë afrohet MPB-ja dhe shërbimet e qytetarëve.
“Sot jemi në komunën e Zhelinës dhe së bashku me mbështetjen e pushtetit lokal dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, në kuadër të një ideje të përbashkët që e kemi pasur edhe para zgjedhjeve, po e realizojmë atë që kemi premtuar, që është afrimi i shërbimeve të MPB-së me çdo qytetar të Maqedonisë. Të njëjtën gjë e kemi bërë edhe në komunën e Likovës, në komunën e Jegunovcit, në komunën e Sarajit dhe tani në komunën e Zhelinës. Në kuadër të Njësisë policore në Grupçin, ne po hapim Shërbimet Administrative të MPB-së ku të gjithë ata qytetarë, që numërojnë rreth tridhjetë mijë, së bashku me mërgimtarët tanë, do të munden, në kuadër të komunës së tyre, më afër shtëpive të tyre, të realizojnë të gjitha të drejtat që kanë të bëjnë me lëshimin e dokumenteve personale si pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferi. Ne tregojmë se mund të jetë ndryshe nga ajo që ishte përpara. Sipas kryetarit të Komunës së Zhelinës, prej më shumë se 7 vitesh ka pasur kërkesë për hapjen e shërbimeve administrative në kuadër të kësaj njësie policore. “Çdo qytetar i Maqedonisë meriton që në mënyrë dinjitoze, të shpejtë dhe efikase të marrë shërbime nga MPB-ja dhe të gjitha institucionet tjera”, theksoi ministri Toshkovski.
Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu tha se ky shërbim fillon të punojë pasi që shtatë vite me radhë ka dërguar kërkesë të këtillë në MPB.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall kasami konsideron se me këtë policia në vend të stacionit policor i njohur për forcë represive në këtë komunë, do të bëhet vend ku qytetarët do të shërbehen.
Ministri Toshkovski potencoi se edhe në të ardhmen do të vazhdojë me këtë lloj projektesh për të treguar se institucionet mund të tregojnë kujdes të vërtetë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.


