Shkup, 29 gusht – Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot në konferencën për media nuk pranoi të japë një përgjigje të qartë për të ardhmen e tij politike nëse humb në zgjedhjet e ardhshme lokale, shkruan zhurnal.mk.
Gazetarja e pyeti drejtpërdrejt Osmanin: “Nëse do të humbisni, a do të tërhiqeni nga politika?” – por Osmani e anashkaloi pyetjen duke folur për një “lëvizje të re” që sipas tij është krijuar në Çair.
“Unë jam vetëm zëri i asaj lëvizjeje, jam zëri i energjisë së rezistencës. Kjo lëvizje nuk është për individë, por për ndryshim të sistemit, të kodeksit të punës dhe mënyrës së funksionimit në Çair. 11 Tetori do të jetë referendum,” tha Osmani, duke mos iu përgjigjur thelbit të pyetjes nëse do të tërhiqej nga politika në rast disfate.
Pas kësaj, gazetarja e sfidoi me një pyetje tjetër: “A është e vërtetë që, për të përmirësuar raportet me VMRO-DPMNE-në, keni kërkuar ndihmë nga Hungaria?”
Osmani reagoi duke e cilësuar këtë si “spine qesharake partiake”:
“Janë bërë më qesharake këto spine. Populli është ngritur në këmbë. Ne nuk kërkojmë ndihmë prej asnjë partie politike. Unë kërkoj votën prej çdo qytetari,” tha ai.
Pyetja kryesore – a do të japë dorëheqje nga politika nëse humb në Çair – mbeti e paqartë, duke hapur dilema për seriozitetin e kandidaturës së tij, shkruan Zhurnal.mk


