1.3 C
Munich

TRANSPORTI PUBLIK NË KRIZË: Autobusë s’ka, borxhet rriten

Must read

NQP është ende duke shlyer kredinë për 33 autobusët “MAN” të blerë pesë vite më parë, përmes një marrëveshjeje 10-vjeçare. Deri në fund të vitit 2024 janë paguar gjashtë këste, ndërsa dy të tjera duhet të shlyhen brenda këtij viti

Anëmsha SHABANI

Shkup, 3 gusht – Prej vitesh, sistemi i transportit publik në Shkup është në kolaps të vazhdueshëm. Qytetarët udhëtojnë çdo ditë me autobusë të vjetruar dhe të rrallë, ndërsa zgjidhjet që premtohen, mbesin në letër. Me fillimin e vitit të ri shkollor në shtator, presioni mbi një sistem tashmë të rrënuar pritet të rritet ndjeshëm, por as këtë vit nuk pritet përmirësim. Përkundrazi, tenderi i fundit për blerjen e 120 autobusëve të rinj dështoi, ndërkohë që Qyteti i Shkupit vazhdon të paguajë kredi për mjetet e blera në vitin 2020. Ministria e Transportit shpalli thirrjen publike më 17 qershor, me afat për dorëzim ofertash më 24 korrik, por vetëm një kompani aplikoi. Ajo nuk i përmbushi kriteret e kërkuara dhe procesi u anulua.

“Pas vlerësimit, Komisioni përgjegjës për zbatimin e prokurimit publik përcaktoi se kompania nuk i plotëson kriteret sipas thirrjes publike të shpallur. Ministria e Transportit do të kryejë analiza shtesë në lidhje me prokurimin e autobusëve elektrikë ekologjikë në periudhën e ardhshme dhe do ta informojë publikun”, thuhet në reagimin zyrtar.

Nga ana tjetër, NQP-ja është ende duke shlyer kredinë për 33 autobusët “MAN” të blerë pesë vite më parë, përmes një marrëveshjeje 10-vjeçare. Deri në fund të vitit 2024 janë paguar gjashtë këste, ndërsa dy të tjera duhet të shlyhen brenda këtij viti. Sipas raportit të fundit mbi inventarin e aseteve dhe burimeve të fondeve në ndërmarrje, vlera për një autobus të zakonshëm ka qenë 269.758 euro, ndërsa për një të artikuluar 335.560 euro. Këstet paguhen dy herë në vit, në fund të janarit dhe në fund të korrikut, me periudhë grace prej tre vitesh që tashmë ka kaluar. Në dokumentin e regjistrimit financiar për vitin 2024 evidentohet edhe një tjetër problem madhor, si borxhi i akumuluar nga MASH-i për transportin e studentëve në tre vite akademike, nga 2021 deri më 2023.

“Megjithëse Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk i pagoi NQP-së asnjë qindarkë për tre vjet, për të njëjtën periudhë kompania pagoi taksa prej mbi 17 milionë denarësh,” theksohet në analizën e Komisionit Qendror të Regjistrimit.

Po sipas të njëjtit raport, DAP e ngarkoi ndërmarrjen me pesë për qind TVSH për transportin e ofruar, vetëm për vitin 2022 në vlerën prej 5.7 milionë denarësh, edhe pse mjetet për shërbimin nuk ishin transferuar. Pagesa nga Ministria është bërë vetëm në janar të këtij viti për vitin shkollor 2024/25, në shumën prej 120 milionë denarësh. “Komisioni Qendror i Regjistrimit propozon të detyrojë drejtorin e NQP ‘Shkup’ që të ndërmarrë të gjitha mundësitë ligjore për mbledhjen e kërkesave nga MASH-i”, thuhet më tej në dokument.

Ndryshe, përkundër këtyre borxheve të papaguara, ndërmarrja për vitin 2025 ka marrë subvencione rekord nga Qyteti i Shkupit në vlerë prej 801.5 milionë denarësh, të cilat në seancën e fundit janë shtuar edhe me 150 milionë denarë shtesë. Pjesa më e madhe e kësaj shume, sipas autoriteteve komunale, është e destinuar për pagesa rrogash dhe për transportin falas të studentëve dhe pensionistëve. (koha.mk)

- Advertisement -spot_img

More articles

- Advertisement -spot_img

Latest article