Zona e tunelit në Vlorë është bërë e njohur për shkak të burimit të ujit të pijshëm, ku qytetarët furnizohen çdo ditë.
Gjatë javëve të fundit është vënë re prani e madhe inertesh, të cilat kanë bllokuar burimin, ndërsa banorët i bëjnë thirrje bashkisë të veprojë.
Kur në banesat e tyre nuk kishin ujë, qytetarët vlonjatë gjithmonë e kishin një zgjidhje alternative për t’u furnizuar, atë të tunelit në Ujin e Ftohtë. Një burim me ujë të kristaltë, i cili ishte dhe ndalesa e parë edhe për çdo turist që i drejtohet jugut të vendit, por nuk dihet nëse do të ndodhë më kjo gjë në vijim.
Prej kohësh, në burim është vënë re prani e madhe inertesh, që thuajse e ka zhdukur atë.
“Aty mbushin ujë të gjithë, pa lekë e marrin, ujë shumë i mirë, ujë për rekord. Vlonjatët këtu vijnë mbushin”, thotë një banor.
“Burim shekullor, i rëndësishëm për qytetarët. Para 30 vitesh ishte më mirë”, shprehet një tjetër.
Qytetarët kanë opinione të ndryshme sa i përket ndotjes, por nëpërmjet Euronews i bëjnë thirrje institucioneve.
“Duhet pastruar, pastrimi është i mirë. Unë rri te rrapi, atje mbusha ujë, ai është ujë i mirë”, apelon një banor
“Ka qenë i pastër, i kthjellët, që kur u bënë shtëpitë, ujërat e zeza vijnë. Ky ujë po sëmur shumë njerëz”, shprehet një tjetër.
Edhe në ditët më kritike të Vlorës, sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, burimi te zona e rrapit dhe ai te tuneli kanë funksionuar gjithmonë, duke u kthyer në një shpëtim për qytetarët.


