Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar për degradimin e dy policëve që hetuan aferën e Rozeta Hajdarit, Nagip Krasniqit dhe Faruk Mujkës, raporton Gazeta Blic.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky është sinjal i qartë se kush guxon të prekë të pushtetshmit, ndëshkohet.
Postimi i saj i plotë:
Mediat po raportojnë se janë degraduar në detyrë dy hetuesit që hetuan aferën e Rozetës, Nagipit dhe Faruk Mujkës.
Rreshteri Idriz Gashi dhe hetues të tjerë që hetonin rastet e KEK-ut, “Ibër-Lepencit” dhe “Rezervave Shtetërore” janë larguar nga Njësia e Veçantë Hetimore, njësia që merrej me korrupsionin e profilit të lartë. Në rast se raportimet e mediave qëndrojnë, ky është sinjal i qartë, se kush guxon të prekë të pushtetshmit, ndëshkohet. Sepse, në vend që të mbrohen hetuesit, pushteti po i largon nga rastet e mëdha, duke penguar hetimet dhe duke e kthyer drejtësinë në farsë.
Nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit pa mbrojtur ata që e luftojnë korrupsionin.


