0.1 C
Munich

Raport progresi i KE-së, Gjyqësori në përgjithësi nuk ka pasur përparim

Must read

Shkup, 8 nëntor – Maqedonia e Veriut nuk ka shënuar përparim të matshëm në drejtim të pavarisisë, efikasitetit dhe llogaridhënies së gjykatave, janë vlerësimet e Komisionit Evropian në Raportin e fundit të progresit për RMV-në.

Në raport thuhet se presionet politike dhe mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare mbeten pengesat kryesore. RMV duhet të përshpejtojë zbatimin e Strategjisë për Reformën e Gjyqësorit, forcojë Këshillin Gjyqësor dhe të miratojë ligjet në përputhje me standardet evropiane.

“Sistemi gjyqësor i Maqedonisë së Veriut është ndërmjet një niveli të caktuar dhe një niveli mesatar të përgatitjes dhe nuk ka bërë përparim. Vendi ka filluar zbatimin e Strategjisë për Reformën e Gjyqësorit (2024–2028) dhe ka vazhduar zbatimin e rekomandimeve të misionit të vlerësimit të vitit 2023 për Këshillin Gjyqësor. Pavarësia dhe autonomia financiare e përgjithshme e gjyqësorit cenohen nga ndërhyrjet dhe presionet e pushteteve të tjera, përfshirë përpjekjet e Kuvendit për të ushtruar presion ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor që të japin dorëheqje, si dhe nga burimet e kufizuara financiare që i ndahen këtij sektori.”- thuhet në raport.

Raport progresi i KE-së, Xhelili: Sinjal për përshpejtimin e reformave

Eksperti juridik Fadil Xhelili, duke u bazuar në raportin e fundit të Komisionit Evropian, vlerëson se dokumenti i sivjetshëm ka një fjalor më të drejtpërdrejtë se kurrë më parë dhe përbën një sinjal të qartë për autoritetet e Maqedonisë së Veriut që të përshpejtojnë reformat në drejtësi.

Sipas tij, raporti thekson me shqetësim ndikimet politike ndaj Këshillit Gjyqësor, duke përmendur edhe presionet që kishin për qëllim dorëheqjen e disa anëtarëve.

“Ky raport në mënyrë decide thekson se reformat në pushtetin gjyqësor nuk kanë lëvizur apo janë në dinamik mjaft të dobët dhe akoma pritet punë në realizimin e këtyre reformave. Në radhë të parë përmendet Këshilli Gjyqësor si organ kyq në sistemin gjyqësor ku përbërja e tij tashmë duhet të ndryshojë dhe të rriten kriteret dhe kushtet për antarët e Këshillit gjyqësor, duke ardhur persona profesionist, të dëshmuar në fushën e drejtësisë, me autoritet dhe dinjitet të lartë.” – tha eksperti juridik, Fadil Xhelili.

Xhelili konsideron se pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, Qeveria duhet të tregojë vullnet politik real dhe të nisë zbatimin e reformave, pasi përparimi në drejtësi mbetet kushti kryesor për hapjen e kapitujve negociues me Bashkimin Evropian.

Xhelili thekson se pavarësia e gjyqësorit mbetet e brishtë dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

“Ndonëse ky vit ishte edhe vit i zgjedhjeve ku akoma nuk kanë përfunduar zgjedhjet në gjithë shtetin, pritet që pas vitit të ri të ketë një angazhim dhe qasje më serioze të autoriteteve të RMV-së dhe përkushtim më të thellë të reformave si kusht për të vazhduar rruga dejt BE-së. Kjo gjendje ‘status quo’ nuk u shërben as autoriteteve, as qytetarëve të RMV-së të cilët janë të interesuar që vendi të hapërojë në rrugën drejt BE-së.” – u shpreh eksperti juridik, Fadil Xhelili.

Në lidhje me luftën kundër korrupsionit, në raport thuhet se lufta kundër korrupsionit është ndërmjet një niveli të caktuar dhe një niveli mesatar të përgatitjes dhe nuk ka bërë përparim në fushën e parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit. Korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur në shumë fusha dhe përbën një çështje serioze shqetësimi, thuhet në raport.

- Advertisement -spot_img

More articles

- Advertisement -spot_img

Latest article