Shkup, 8 nëntor – Të ardhurat totale nga pagesat e rrugës në Maqedoninë e Veriut për nëntëmujorin e parë të vitit 2025 kanë arritur në 3.611.645.604 denarë, që korrespondojnë me 58.7 milionë euro, njoftoi Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore (JPRR).
Vetëm në muajin shtator, të hyrat nga stacionet e pagesës kanë qenë 401.971.971 denarë, ndërsa gjatë muajve verorë, kur qarkullimi i automjeteve është më i madh, shumat kanë qenë më të larta:
Gusht – 494.308.025 denarë
Korrik – 469.811.647 denarë
Qershor – 399.325.680 denarë
Sipas JPRR-së, stacioni më fitimprurës është ai në Romanovcë, ndërsa më pak të ardhura janë regjistruar në Kadrifakovë.
Në shtator, përmes sistemit të profakturave ETC, janë arkëtuar 30.870.116 denarë, ndërsa përmes rimbushjes online (web) – 30.888.802 denarë.
Përmes sistemit “Open Balkan”, janë mbledhur 10.486.530 denarë.
Nga JPRR bëjnë të ditur se pagesat elektronike tashmë përbëjnë 35% të të gjithë qarkullimit, duke shënuar rritje të vazhdueshme.
Po ashtu, në fazë përgatitore është projekti për rimbushjen e M-TAG dhe M-Card, ndërsa pritet që së shpejti të nisë shitja me pakicë e pajisjeve M-TAG nëpërmjet subjekteve juridike në të gjithë vendin.


