Një tjetër lëvizje e madhe pritet në “Anfield” pasi një lojtar i Liverpoolit është në prag largimi, përpara transferimit të shumëpërfolur të sulmuesit suedez Alexander Isak nga Newcastle United.
Liverpool ka shpenzuar shumë gjatë këtij afati kalimtar veror, duke siguruar emra të mëdhenj si Florian Wirtz për 116 milionë euro dhe Hugo Ekitike.
Megjithatë, klubi ka kryer edhe shitje të mëdha, duke përfshirë Luis Diaz dhe Darwin Nunez ndërsa skuadra është prekur edhe nga ndarja e parakohshme me Diogo Jotën.
Trajneri i ri, Arne Slot, ka qenë i vendosur për të përforcuar repartin sulmues, me Alexander Isak në qendër të një sage të gjatë transferimi këtë verë.
Por kjo sagë duket se po i afrohet fundit, pasi Liverpool ka arritur marrëveshje me Newcastle për një tarifë rekord për futbollin britanik.
Ndërkohë, Liverpool është gjithashtu në bisedime për të siguruar shërbimet e mbrojtësit Marc Guehi nga Crystal Palace, përpara përfundimit të afatit kalimtar sot (e hënë).
Guehi, i cili luajti në fitoren 3-0 të Palace ndaj Aston Villas të dielën, ka qenë i lidhur ngushtë me një transferim te Liverpooli.
Nëse marrëveshja për Guehi përmbyllet, atëherë Joe Gomez pritet të largohet nga klubi.

Sipas gazetarit të njohur të transferimeve, Fabrizio Romano, Gomez është pranë nënshkrimit me Milan, nëse ai miraton transferimin.
Gomez ka shqyrtuar opsionet e tij gjatë kësaj vere dhe është shndërruar në objektiv të Milanit, që kërkon të zëvendësojë Malick Thiaë, i cili është shitur te Newcastle.
28-vjeçari është pjesë e Liverpoolit që nga vera e vitit 2015 dhe ka regjistruar 243 paraqitje me klubin. Ai u aktivizua si zëvendësues në fitoren 1-0 ndaj Arsenalit të dielën.