1.3 C
Munich

Çmimet e banesave në rritje të vazhdueshme / Nuk pritet ulje

Must read

Shkup, 8 qershor – Në tre muajt e parë të vitit 2025 janë shitur 1947 banesa me vlerë totale prej 137 milion euro tregojnë të dhënat e Agjencionit të Kadastrës. Por të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se ajo që vërehet në kuartalin e parë është vazhdimi i trendit të rritjes së çmimeve të banesave prej 7.2 %.

Gjatë 5 viteve të fundit, çmimi për metër katror në Shkup është rritur nga rreth 900 euro, në mesatarisht 1.500 deri në 2.000 euro, një rritje që ka dyfishuar barrën për blerësin.

Kryetari i OEMVP-së, Mendi Qyra, njëherit edhe afarist në fushën e ndërtimit thotë se edhe në periudhën në vazhdim nuk pret ulje të çmimeve, për arsye të rritjes së çmimeve të materialeve për ndërtim dhe shtrenjtimin e punës së krahut.

“Çmimet në tregun e Maqedonisë së Veriut janë rritur ndjeshëm, në disa raste deri në 100 apo 150%, për shkak të shumë faktorëve. Një ndër faktorët kryesorë është rritja e çmimeve të materialeve ndërtimore, të cilat po rriten çdo ditë. Edhe fuqia punëtore është në rritje, çka ndikon drejtpërdrejt në koston përfundimtare dhe rritjen e çmimeve të përgjithshme. Një gjë është e sigurt ulje të çmimeve nuk do të ketë. Në Maqedoninë e Veriut kemi mungesë të fuqisë punëtore. Kjo mungesë bën që ndërtimi i një objekti të jetë gjithnjë e më i kushtueshëm” – tha Kryetari i OEMVP-së, Mendi Qyra.

Interesimi për blerjen e banesave mbetet i lartë

Qyra shton se kërkesa për banesa rritet si pasojë e migrimit nga fshati në qytet, investimeve nga diaspora dhe blerjeve nga të huajt, veçanërisht nga Turqia.

“Një ndër faktorët, është migrimi nga fshati në qytet. Gjithashtu, vetë pozita gjeografike e Maqedonisë – në qendër të Ballkanit Perëndimor dhe në proces për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ndikon që edhe qytetarë nga shtete të tjera të interesohen për të blerë këtu. Shembull konkret është Turqia, ku qytetarë të shumtë kanë filluar të investojnë në blerje pasurish në Maqedoni. Edhe diaspora jonë, qytetarët që punojnë jashtë shtetit, të cilët për fat të keq nuk po investojnë në fshatra, por më tepër në qytet.” – thotë Kryetari i OEMVP-së, Mendi Qyra.

Vitin e kaluar në sektorin e patundshmërive është realizuar qarkullim prej 1 miliard euro, ku prej tyre 490 milion euro janë shpenzuar në blerjen e 8018 banesave tregojnë të dhënat e Agjencionit të Kadastrës.

- Advertisement -spot_img

More articles

- Advertisement -spot_img

Latest article