Tiranë, 15 maj – Më 16 Maj do mbahet për herë të parë në Tiranë një nga ngjarjet e rëndësishme gjeopolitike, siç është Samiti i Komunitetit Politik Europian në Tiranë. Për këtë ngjarje, janë bërë ambiente të veçanta të ndërtuara në qendër të kryeqytetit në sheshin Skënderbej.
Programi i samitit nis në orën 10:00 me mbërritjen e delegacioneve dhe deklaratat për media, pasuar nga ceremonia zyrtare e hapjes në orën 11:00 dhe fotografia familjare në orën 11:30.
Më pas, do të zhvillohet sesioni i parë plenar, një drekë zyrtare dhe tryeza tematike. Pasdite do të ketë takime dypalëshe mes krerëve të delegacioneve dhe një sesion përmbyllës plenar.
Do të zhvillohen tri tryeza të nivelit të lartë mbi tri temat: siguria e Evropës dhe qëndrueshmëria demokratike; konkurrueshmëria dhe siguria ekonomike përfshi sfidat e lëvizshmërisë si dhe fuqizimi i të rinjve.
Takimi do të mbyllet me një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 18:30 nga Kryeministri i Shqipërisë dhe Kryeministri i Danimarkës, vendi pritës i samitit të ardhshëm.
Të pranishëm do të jenë liderë si Kryeministri britanik Keir Starmer, Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, Kryeministri polak Donald Tusk, Presidenti turk Recep Tayip Erdogan dhe shumë të tjerë.