Pasi që ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, dje kumtoi se nga Buxheti qendror është bërë pagesa e tretë e kredisë hungareze destinuar për kompanitë, sot Banka Zhvillimore informoi se mjetet tashmë janë paguar.
Mjetet në vlerë prej 41.3 milionë euro janë të destinuara për 175 projekte të miratuara të kompanive vendase. Me këto mjete mbështeten nëntë kompani mikro, 91 të vogla, 57 të mesme dhe 18 kompani të mëdha në vend. Shumica e parave shkojnë për kompani të prodhimit.
Duke përfshirë këstin e fundit, deri më tani janë paguar 125.8 milionë euro ose gjysma e 250 milionë eurove të planifikuara për të mbështetur ekonominë. Janë financuar 470 projekte të kompanive vendase.