Drejtuesi politik i qarkut të Fierit, Gazment Bardhi, ka publikuar disa nga pikat kryesore të programit të Partisë Demokratike, për sektorin e bujqësisë.
Teksa renditi pikat kryesore që shkojnë si mbështetje e drejtpërdrejtë për fermerin, Bardhi shkruan se qeveria e PD pas 11 majit do të subvencionojë për çdo njësi prodhimi, kokë bagëti dhe fidan të blerë fermerët.
Për këtë qëllim, theksoi ai, “do të ketë rritje të fondit të subvencionimit direkt të fermerëve nga 0.5 përqind e shpenzimeve buxhetore, në 3.5 përqind sa është niveli mesatar i rajonit”.
Bardhi nënvizoi se, Karta e ID do jetë NIPT-i i fermerit. Ai premtoi mbështetje direkte dhe subvencion për sipërmarrësit në fushën e bujqësisë, ku çdo fermer do identifikohet me një NIPT.
“TVSH-ja në sektorin e përpunimit të prodhimeve bujqësore do të jetë e njëjtë në shitje dhe blerje, kështu që paratë do të shkojnë direkt tek fermeri dhe jo tek grosisti”, u shpreh Bardhi.
Ai shtoi se, nafta do të subvencionohet deri në nivelin e kostos.
Bardhi premtoi subvencionim të normave të interesit deri në masën 80 përqind për kreditë bankare në fushën e bujqësisë.
“Zhvillimi i infrastrukturës bujqësore do mbështetet nga investime thelbësore veçanërisht në ujitje dhe kullim ku çdo vit do investohen një shumë rreth 70 milionë dollarë me qëllim dyfishimin në katër vite të sipërfaqes së ujitjes”, theksoi Bardhi.
Ai gjithashtu premtoi, “kompensim financiar me çmim dysheme për stokun e prodhimit të shkaktuar nga çrregullime të forta të tregut dhe incentivim në ngritjen e industrisë agroushqimore për absorbimin e këtij stoku dhe shmangien e asgjësimit të këtyre produkteve”.


