Shkup, 21 shkurt – Meqë çdo ditë e më shumë afrohen zgjedhjet lokale edhe partitë janë të vetëdijshme prandaj që tani kanë filluar të aktivizohen e të zbresin në terren për të qenë sa më afër qytetarëve. VLEN kanë gjetur pretekste të ndryshme, dhe nga tani po tregojnë muskujt partitë që përbëjnë koalicionin se cila ku peshon më shumë. Prandaj, edhe takimet me qytetarët po i mbajnë ndaras nën arsyetime të ristrukturimeve apo Forumeve Rinore. Nga krahu tjetër edhe BDI po vepron ngjashëm që po viziton qytetarë të shumtë në komuna të ndryshme, shkruan Zhurnal.
Zgjedhjet lokale zgjojnë partitë politike nga gjumi –
Ajo çfarë bie në sy ditëve të fundit është një numër i madh i takimeve që po realizohen në komuna të ndryshme nga partitë politike që përbëjnë koalicionin VLEN që janë pjesë e pushtetit. Mirëpo është interesant fakti, që këto takime partitë politike po i realizojnë veçmas, jo si VLEN por nën llogot e partive të tyre.
Shembull, hiç më larg që një javë në Komunën e Sarajit Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit realizoi një takim me qytetarët e kësaj komuna ku zgjedhën edhe kryetarin e degës që sipas tyre me shumë gjasë mund të jetë edhe kandidat potencial për kryetar Komune.
Menjëherë pas tyre ishin ASH-ja e Taravarit të cilët nën pretekstin e strukturimit të Forumit Rinor të partisë u takuan me banorët e Sarajit, ku fokusi kryesor ishte te Blerand Ramadani, emër i lakuar për të qenë kandidat potencial për kryetar Komune.
Pra, partitë politike të VLEN kanë zbarkuar në terren për tu takuar me qytetarët por të ndara për testuar peshën e tyre në opinion. Mbase, rezultatet e anketave të fundit nuk i kanë marrë për relevancë, dhe i cilësuan si tentim për përçarje. Dhe, tani kanë filluar të shohin veten e tyre, por në të njëjtën kohë t’i tregojnë njëra tjetrës se cila parti ku qëndron më mirë.
VLEN duhet pasur kujdes mënyrën e qeverisjes, kjo mund t’i kushtoj shumë në zgjedhjet lokale –
Edhe përkundër faktit që kanë radhitur një sërë projektesh që do të realizohen në komunat shqiptare, gjë që reflekton që nga tani kanë filluar përgatitjet për fushatë. Por, një gjë duhet ta kenë të qartë që qytetarët nuk e falin dot injorimin e neglizhencës që mund t’i bëhet nga zyrtarët shtetëror që janë në ato pozita falë votës së këtij qytetari hallexhi.
Ekziston edhe proverba e shumë dëgjuar popullore e cila thotë që “populli të ngrit populli të rrëzon”, shprehje që duhet ta përsëris e ta dijë secili që merret me politikë. Pra, të merr parasysh pavarësisht pozitës ku ndodhet ta dijë për fuqinë që e posedon populli.
VLEN si të ri në qeveri nuk duhet të bëjnë gabimet e njëjta. Kujtojmë që, kur u çrrënjos nga pushteti BDI që kishte qeverisur për dy dekade, këta të fundit për një vit qeverisje çrrënjosen shumë më lehtë e shumë më shpejt. E për këtë ekziston verdikti i popullit, pra qytetarët kanë çekanin në duar me çka do të vendosin në zgjedhjet lokale të shpërblejnë apo të ndëshkojnë.
Me gjithë kompromisin që mund ta bëjë populli kuptohet që janë në fillim të qeverisjes është fazë adaptimi. Por kurrsesi qytetari nuk e falë injorimin apo neglizhimin. Prandaj, të gjithë funksionarët që janë pjesë e këtij ekzekutivi duhet të jenë vigjilent e sy hapur në secilin hap që e bëjnë. Takimet me qytetarët duhet t’i kenë rutinë, sepse qytetarët janë ata që ia dhënë këtë mundësi për të qeverisur me vendin. Pos kësaj qytetarët janë mësuar me mos përfillje apo arrogancë politike, e për t’ia dëshmuar ndryshimin në vepër duhet të veprojnë ndryshe sepse nuk do të kishte kuptim ndryshimi i pushtetit kur sjelljet mbesin të njëjta. /Zhurnal.mk


