0.6 C
Munich

Hap dyert Spitali i Pediatrisë së Specialiteteve, Rama: Strukturë moderne, ambient mësimor për fëmijët

Must read

Spitali Pediatrik i Specialiteteve në QSUNT është infrastruktura më e re, në shërbim të pacientëve të vegjël nga e gjithë Shqipëria, që mundëson kushte dinjitoze, të standardeve europiane për trajtimin e tyre mjekësor dhe ku për herë të parë janë parashikuar ambiente dedikuar shkollës për të asistuar ata fëmijë që kalojnë një kohë më të gjatë në këtë spital.

Gjatë përurimit të Spitalit të Pediatrisë së Përgjithshme në QSUNT, Rama u shpreh se ky investim është pjesë e modernizimit të shëndetësisë, duke përfshirë spitalet pediatrike dhe maternitetet rajonale në të gjithë vendin.

“Vij përsëri këtu për një tjetër derë që hapim në këtë qendër spitalore, ku transformimi tanimë është i gjithanshëm dhe ku ende pak struktura mbeten për t’u integruar në këtë tërësi të transformuar. Më vjen shumë mirë po ashtu, që mjekëve dhe infermierëve të Pediatrisë u japim mundësinë e një tjetër strukture të standardeve më të larta bashkëkohore, ndërkohë që së shpejti, me financimet e këtij viti do të realizojmë edhe transformimin e strukturës së tretë, të Pediatrisë Infektive”, bëri të ditur Rama.

Kryeministri nënvizoi se ky është viti me buxhetin më të lartë për shëndetësinë, 1 miliard euro, një buxhet i lartë dhe i paimagjinueshëm deri disa vite më parë.

Ndërkohë, Rama bëri të ditur se falë bashkëpunimit me një organizatë shumë të njohur në fushën e mbështetjes së fëmijëve nga Izraeli do të krijohet shkolla pranë Pediatrisë.

“Do t’u krijohen mundësi fëmijëve në Spitalin Pediatrik të marrin mësim dhe të mos mbeten mbrapa në shkollë, por me një metodë e program që i përshtatet gjendjes së tyre joptimale shëndetësore”, tha Rama.

Kryeministri u ndal po ashtu te një sërë projektesh me shumë rëndësi që do të ulin presionin mbi QSUT-në.

“Kemi një sërë projektesh përpara në drejtim të shërbimit gjinekologjik, ashtu sikundër kemi dhe një sërë projektesh për të vazhduar me ripërtëritjen e qendrave shëndetësore sepse siç ju e dini më mirë se të gjithë, rënia e presionit, ulja e presionit që ka qenë i jashtëzakonshëm ka filluar të ulet, por prapë është i madh mbi Qendrën Spitalore, është një domosdoshmëri dhe fuqizimi i niveleve të tjera është rruga për ta balancuar këtë, duke i dhënë mundësi qendrës suaj që të jetë një qendër realisht universitare”, shtoi Rama.

Kryeministri solli në vëmendje disa nga arritjet e mjekëve shqiptarë, të cilët sipas tij po kryejnë ndërhyrje realisht të paimagjinueshme, deri disa vite më parë.

“Kjo po ndodh në Qendrën Spitalore, për operacione fëmijësh, për shembull, me probleme që deri dje adresoheshin vetëm në spitalet jashtë vendit. Më vjen shumë mirë po ashtu, që kjo ndodh në të gjitha nivelet dhe herë pas here shohim se si mjekët e Qendrës Spitalore Universitare realizojnë ndërhyrje tejet të sofistikuara me shumë sukses, gjë që na bën shumë krenarë për gjithçka ju bëni”, tha Kryeministri.

Rama i siguroi mjekët se do të vazhdojë përmirësimi dhe lehtësimi i kushteve të punës, duke i dhënë mundësi të gjithë atyre që punojnë në këtë qendër që të vijnë në punë dhe të kenë të gjitha mundësitë për të ushtruar me cilësinë më të lartë këtë profesion, që lidhet me jetën e njerëzve.

“Pa diskutim që ne kemi ende probleme për të adresuar, pa diskutim që jemi të gjithë të vëmendshëm që mësimet e hidhura që kemi marrë në të shkuarën të na vlejnë dhe njëkohësisht ngjarjet si ajo e Onkologjikut të mos përsëriten, por nga ana tjetër, kjo është një betejë e përditshme, që nuk është vetëm një betejë shqiptare”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje rastin e departamentit të Kardiokirurgjisë në Davos (Zvicër), që pak kohë më parë ishte përfshirë në një skandal të madh, që kishte sjellë praktikisht edhe një pastrim rrënjësor të personelit.

“Përpara pak javësh në Davos mësova historinë e departamentit të Kardiokirurgjisë, njërit ndër më të famshmit në Europë apo në botë, në Zvicër, që pak kohë më parë ishte përfshirë në një skandal të madh, që kishte sjellë praktikisht edhe një pastrim rrënjësor të personelit për shkak të marrëdhënieve korruptive me prodhuesit e industrisë farmaceutike, ose më saktë jo farmaceutike, por të industrisë të mjeteve, materialeve dhe aparaturave mjekësore”, tha Rama.

Spitali ka një kapacitet prej 140 shtretërish si dhe 17 poltrone për pacientët e terapisë ditore, ku parashikohen rreth 35000 konsulta në vit, mbi 24500 ekzaminime të tjera specifike (eko, ct, grafi, timpanografi, spirometri, audiograme etj) dhe mbi 5000 ekzaminime laboratorike përmes konsultës ambulatore pediatrike.

Godina përbëhet nga 5 kate, 1 kat nën tokë dhe 4 kate mbi tokë me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi rreth 8200 m². Pjesë e infrastrukturës së re janë: Shërbimi i Onkohematologjisё, ku janë thelluar dhe përmirësuar më tej metodat diagnostike dhe mjekuese; Shёrbimi i Nefrologjisë dhe Dializës Pediatrike, Shërbimi i Laboratorit tё Gjenetikës Klinike, një shërbim unikal pёr tё gjithë Shqipërinë, ku trajtohen pacientë pediatrik dhe adult (ciklik) me sëmundje gjenetike tё lindura; Shërbimi i Konsultave Pediatrike për specialitetet; Njësia e rehabilitimit fizik (fizioterapia) pёr pacientёt pediatrik; Farmacia për Pediatrinë, etj.

- Advertisement -spot_img

More articles

- Advertisement -spot_img

Latest article