Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, i cili është dënuar me 1 vit burg për akuzën e “Kallëzimit të Rremë”, nëpërmjet një deklarate të bërë publike nga zyra e shtypit në selinë blu thotë se në Gjykatën e Lartë po manipulohet shorti, për të vonuar shqyrtimin e rekursit të bërë prej tij.
“Më burgosën duke pasur mandat dhe asnjë institucion nuk konstatoi humbjen e mandatit në momentin që isha në burg. Tani, vazhdojnë me shpifësinë e padrejtësisë, duke nxjerrë dy trupa e dy relatorë të ndryshëm për rastin tim, as më pak e as më shumë, por në Gjykatën e Lartë”, shkruan Salianji.
Sipas Salianjit është e qartë se ky nuk është proces, por pengmarrje.
“Jam i marrë peng nga një organizatë kriminale që interes ka të më mbajë larg zgjedhjeve dhe aktivitetit publik, pasi kam faktuar me qindra herë korrupsionin dhe lidhjet e qeverisë me krimin ashtu siç dhe i kam mundur në çdo përballje zgjedhore! Qëllimi nuk fshihet më. Duhet të mbahem në burg, të mos lejohem të merrem me politikë, të bëj fushatë, të kandidoj!”, shkruan Salianji.
Sipas ish-deputetit demokrat “ndryshimi apo manipulumi i shortit bëhet për të vonuar shqyrtimin dhe vendimmarrjen dhe po ashtu për të mbajtur nën presion gjyqtarët duke krijuar dy trupa”.
“Një trupë që do të shqyrtojë çështjen, dhe një si siguresë për nevojën e qeverisë”, shkruan Salianji.
“Kjo është autokracia në veprim, ky është pushteti i sunduesit. Ky është regjimi! Kushdo do mbajë përgjegjësi, dita po vjen!” e përmbyll reagimin ish-deputeti i PD-së.




