Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kthyer për rihetim çështjen ndaj deputetit demokrat Asllan Dogjani, i cili akuzohet nga SPAK për fshehje pasurie.
GJKKO me vendimin e sotëm i la afat SPAK dy muaj për rihetimin e të gjitha akteve. Vetë deputeti e konsideroi vendimin e GJKKO, një triumf të drejtësisë, dhe fundin e epokës së qeverisjes “Rama”.
“Vendimi i gjykatës së sotme për të rikthyer çështjen edhe njëherë për hetime se nuk është bërë hetimi i plotë, tregon se triumfon drejtësia. Unë kam pasur një periudhë të vështirë. Sot ka triumfuar drejtësia edhe është fundi i Edi Ramës”, tha Dogjani.
“Ky është triumf i drejtësisë. Gjykata ka shpallur pavlefshmëri të akteve të hetimeve paraprake dhe ka kthyer për një periudhë 2 mujore për hetimin e çështjes. Caktoi kryerjen e të gjitha detyrave të kërkuara nga ne. Kjo vepër penale e supozuar, ku është bërë nga një mashtrues të kallëzuar nga unë për vjedhjen e pronës publike, gjykata epa dhe e kuptoi se është hakmarrja”, shtoi Dogjani.
Dogjani u shpreh se me vendimin e dhënë nga GJKKO, ringjallet shpresa e qytetarëve shqiptarë te sistemi i drejtësisë.
“Kjo është një shpresë për qytetarët që të kallëzojnë e denoncojnë çdo vepër penale, çdo korrupsion”, deklaroi Dogjani.
Më 30 dhjetor të vitit që lamë pas, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dërgoi për gjykim Dogjanin, pasi e akuzonte për deklarim të rremë të pasurisë.
SPAK pretendonte se Dogjani ka bërë deklarim të rremë për përfitimin e një apartamenti me sipërfaqe 128.4 m2, në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë.