48-vjeçari Lulzim Visha, i cili u gjet i pajetë në një makinë mëngjesin e kësaj të premteje në Zall Mner në Tiranë, i vrarë me armë zjarri, dyshohet se ka pasur hasmëri me persona të tjerë.
Burime për A2 CNN thonë se viktima ka qenë person që ka pasur probleme dhe pista e hasmërisë duket si më e mundshmja për hetuesit. Para disa viteve, vëllai i Lulzim Vishës ka vrarë një tjetër person.
Visha u gjet pa shenja jete brenda automjetit në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner rreth orës 7:40 këtë mëngjes. Policia tha se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Mësohet se ai punonte postier dhe është gjetur i vrarë brenda makinës së kompanisë së postës private ku punonte. Ngjarja është lajmëruar nga një banor i zonës i cili ka telefonuar policinë. Grupi hetimor ende nuk e di orën me saktësi kur ka ndodhur krimi.