Partia Demokratike i ka bërë thirrje Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) që “të ndërhyjë për të ndaluar rritjen e pajustifikuar me 30% të çmimeve siguracionit të makinës”.
Nga selia blu, sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Jola Hysaj, tha se “rritja me 30% e çmimeve të sigurimeve të detyrueshme për automjetet është një barrë e rëndë për secilin qytetar sepse pagat janë të ulëta dhe kostot po rriten çdo ditë”.
Sipas Hysajt “ky është një tregues i qartë i braktisjes së qytetarëve nga institucionet që duhet t’i mbrojnë”.
Në emër të Partisë Demokratike, Hysaj i drejtohet Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) që të ndërhyjë menjëherë.
“Ndalni abuzimet dhe rritjet e pajustifikuara të çmimeve. Qytetarët nuk mund të jenë burim fitimi për kompanitë e sigurimeve”, tha Hysaj.
Më tej, Hysaj kërkon nga AMF që të bëjë “transparencë të plotë mbi arsyet e kësaj rritjeje. Qytetarët kanë të drejtë të dinë përse po paguajnë çmime që janë rekord në rajon”.
Hysaj shton më tej që AMF të krijojë “masa për të lehtësuar barrën e atyre që janë më të prekur nga rritja e kostove, sidomos të rinjtë dhe të pamundurit”.
“Rritja e çmimeve të sigurimeve është një simptomë e mungesës së plotë të mbikëqyrjes dhe planifikimit. Në vend që të mbështesin qytetarët, institucionet kanë zgjedhur të qëndrojnë indiferente, duke i lënë të përballen me një treg që vepron sipas dëshirës”, tha Hysaj.