Shkup, 12 nëntor – Komisioni për çështje të imunitetit dhe rregullores akoma nuk ka caktuar seancë për të debatuar mbi ankesën e LSDM-së lidhur me mos veprimin e kreut të Kuvendit Afrim Gashi, i cili refuzoi të thirrë seancë të komisionit për politikë sociale, me qëllim për të debatuar për propozim ligjin për branitellat. Kryetari i këtij komisioni Mile Lefkov, për Alsat thotë se ka dërguar letër deri te të gjithë koordinatorët e grupeve parlamentare, me qëllim që kur të caktohet data, të jenë prezent të gjithë. Megjithatë, shprehet se komisioni prapëseprapë nuk mund të konfirmojë nëse Gashi ka vepruar sipas rregullores apo jo.
“Bëhet fjalë për më tepër çështje, një prej tyre është edhe ajo që ju përmendët. Edhe ajo do të gjendet si propozim por ajo që duhet ta dijë opinioni është se në përputhje me nenin 62 paragrafi 3 të rregullores, kompetent për të përcaktuar se cilat çështje janë të kontestueshme është vetëm kryetari i Kuvendit. Ne si komision mundemi të japim vetëm mendim për mënyrën si duhet të zbatohet rregullorja ose të japim propozim që rregullorja të ndryshohet”, tha Mile Lefkov – VMRO-DPMNE.
Deputetja Sllavjanka Petrovska nga LSDM, konsideron se mosthirrja e seancës dëshmon tiraninë e shumicës parlamentare.
“Kryetari i Komisionit nuk mund të jep deklarata në emër të komisionit nëse nuk e thirrë komisionin. Qëndrimi duhet të diskutohet në atë komision. Ne konsiderojmë se rregullorja nuk është zbatuar në mënyrë të drejtë madje edhe u shkel me rastin për mosveprim të kryetarit Gashi. Dhe që të mos jetë se gjithësecili prej nesh del nëpër konferenca për media kërkuam që në seancë të trupit punues aty ku është vendi, të udhëhiqet debati në këtë Kuvend”, theksoi Sllavjanka Petrovska – LSDM.
Ndërkohë Levica shkoi një hap më tej duke ngritur edhe kallëzim penal ndaj Gashit për mosveprim. Për ligjin për branitellat, janë skeptik se do të arrijë të debatohet në seancë plenare.
“Për VLEN-in nuk është edhe aq problem sepse ato do të votojnë kundër mirëpo çështja është se shumica qeveritare e VMRO-DPMNE-së do të gjendet në situatë të pakëndshme e që do të duhen ta mbështesin. Për këtë ne mendojmë se vështirë se do të gjendet në rend dite dhe ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat kuvendore, të përpiqemi të vijë”, nënvizoi Borisllav Krmov – Levica.
Nga LSDM ndërkohë do të kërkojnë përsëri që propozim ligji të vendoset në rend dite në komisionin për politikë sociale, seanca e së cilës është parashikuar të mbahet ditën e premte.