Shkup, 18 tetor – BDI-ja vlerëson se gjatë 100 ditëve të para të Qeverisë së re, VLEN-i pa hezitim po rrënon gjithçka që shqiptarët kanë arritur me shumë mund në sektorin e shëndetësisë.
Sipas BDI-së, shqiptarëve iu është marrë hisja që u takon në shëndetësi, pasi tani më nuk udhëheqin me mbi 50 institucione shëndetësore.
“Shqiptarët udhëhiqnin me mbi 50 institucione shëndetësore deri në përfshirjen e VLEN-it në Qeveri, pa legjitimitet nga populli të cilët pa hezitim rrënuan dhe vazhdojnë të rrënojnë të gjithë ato të arritura. Sot, pas 100 ditë qeverisje, në Qendrën Universitare “Nënë Tereza” – Shkup nga 34 klinika universitare vetëm 3 klinika udhëhiqen nga drejtorë medicinal shqiptarë, veprim i cili nënçmon kapacitetin e mbi 100 specialistëve shqiptarë që janë dëshmuar për kapacitet profesionale në dhënien e shërbimeve shëndetësore, si dhe edukimin e kuadrove të reja, kuadro të dëshmuar edhe në arenën ndërkombëtare me punime shkencore, implementim të metodave të reja në sfera të ndryshme të mjekësisë.”, – deklaroi Armend Asllani nga BDI.
Nga BDI-ja propozojnë që urgjentisht ministri i Shëndetësisë, Taravari, ta tërheqë vendimin për pezullimin e të gjitha konkurseve të shpallura për punësimin e 1.117 punëtorëve shëndetësorë, vendim i cili është miratuar nga Qeveria e kaluar. Gjithashtu, propozojnë që mjetet e “kursyera” nga shkarkimi i drejtorëve organizativ t’i parashikojë për punësimin e të gjithë specializantëve privatë.