Qeveria australiane ka bërë një hap të madh drejt shndërrimit në një lider në energjinë e rinovueshme duke miratuar një projekt të ri industrial diellor në territorin verior.
Projekti industrial diellor, i cili po promovohet si “stacioni diellor më i madh në botë”, do të prodhojë energji të mjaftueshme për të furnizuar me energji tre milionë familje. Sipas ministres australiane të Mjedisit, Tanya Plibersek, projekti do të përfshijë panele diellore, bateri dhe përfundimisht një kabllo që lidh Australinë dhe Singaporin me qëllim të eksportimit të energjisë së tepërt.
“Ky projekt i madh është pjesë e infrastrukturës që përcakton një brez. Ai do të jetë stacioni diellor më i madh në botë, duke shpallur Australinë si një lider botëror në energjinë “e gjelbër”, tha ajo.
Projekti Australia-Asia Power Link zë një sipërfaqe prej 12 mijë hektarësh dhe do të vendoset në territorin verior australian me diell. Ai do të instalohet nga kompania e energjisë së rinovueshme SunCable dhe projekti financohet nga milioneri Mike Cannon-Brookes.
Kompania SunCable thekson se nga projekti do të përfitojë ekonomikisht territori verior në vlerën mbi 20 miliardë dollarë dhe se do të krijojë 6800 vende pune direkte dhe indirekte në vit gjatë periudhës së ndërtimit, ndërsa numri maksimal i të punësuarve do të jetë 14300. Ky numër llogaritet në bazë të periudhës së ndërtimit dhe 35 viteve të para të funksionimit.
Projekti i fermës diellore ndodhet midis Elliot dhe Tennant Creek, dhe leja përfshin një kabllo nënujore në buzë të ujërave australiane dhe një linjë transmetimi 800 kilometra për në Darvin. Gjithashtu, miratimi përfshin udhëzime strikte për mbrojtjen e mjedisit.
Projekti do të gjenerojë 4 GW energji elektrike në orë për përdorim shtëpiak, ndërsa 2 GW të mbetura do të dërgohen përmes një kablloje nënujore në Singapor, duke plotësuar rreth 15 për qind të nevojave të qytetit. Rreth 40 GW do të ruhen në bateri. Dorëzimi i energjisë elektrike pritet në vitin 2030.
Megjithëse australianët janë ndër adoptuesit më entuziastë të paneleve diellore shtëpiake, qeveritë ende hezitojnë të angazhohen plotësisht për energjinë e rinovueshme.
Në vitin 2022, burimet e rinovueshme të energjisë përbënin 32 për qind të prodhimit total të energjisë elektrike në Australi, ndërsa qymyri dominonte me 47 për qind. Australia është një nga eksportuesit më të mëdhenj të qymyrit dhe gazit në botë, por një sërë fatkeqësish natyrore si përmbytjet dhe zjarret kanë bërë që qeveria e re t’i drejtohet burimeve më të gjelbra të energjisë. Në dy vjet u nisën 55 projekte të energjisë së rinovueshme, të cilat mjaftojnë për të furnizuar me energji gati 7 milionë shtëpi.