Prishtinë, 22 gusht – Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka zhvilluar një aksion në Prishtinë që rezultoi me arrestimin e një personi, shtetas i Maqedonisë Veriore, i cili dyshohet se kishte në posedim të gatshëm për shitje një sasi të substancës së dyshuar narkotike, të llojit heroinë, raporton Gazeta Sinjali.
Policia ka njoftuar se janë sekuestruar mbi 6 kg heroinë, në vlerë të 150 mijë eurove.
“Pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës tek personi i dyshuar janë gjetur 6 (gjashtë) paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë të përgjithshme prej 6.137.6 gramë (6 kilogramë e 137 gramë), ku vlera e substancës së dyshuar narkotike e cila është konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 150.000 euro (njëqind e pesëdhjetë mijë euro).
Lidhur me rastin në cilësi të provave materiale janë sekuestruar edhe këto dëshmi tjera materiale:
2 telefon celularë,
një veturë,
4305 denarë të Maqedonisë Veriore.
Të gjitha veprimet e ndërmarra dhe dëshmitë e gjetura të sekuestruara janë kryer me autorizimin e prokurorit kujdestar.
Personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari ndalohet për 48 orë, kurse dy personat e tjerë janë në kërkim policor.”