Shkup, 14 gusht – Qeveria sot ka shqyrtuar dhe miratuar Informacionin për vazhdimin e masave parandaluese shtesë për shkak të valës së të nxehtit edhe për ditën e enjte, informon Pres shërbimi qeveritar.
“Lirim nga detyrat për grupet më prekura të popullatës: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç për ditën 15 gusht (e enjte). Në të njëjtën periudhë, punëdhënësit duhet të riorganizojnë aktivitetet e punës së punëtorëve të ndërtimit dhe punëtorëve që punojnë në ambient të hapur, duke shmangur ndërtimet dhe aktivitetet e tjera të punës në periudhën prej orës 11 deri në orën 17”, thonë nga Qeveria.
Duke marrë parasysh faktin se disa procese të rrezikshme prodhimi dhe teknologjie mund të paraqesin një rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, nga Qeveria rikujtojnë punëdhënësit për respektimin e rregulloreve ligjore në këtë sferë.
“Institucionet për kujdesin e fëmijëve (kopshtet) nuk duhet t’i praktikojnë aktivitetet fizike dhe fëmijët nuk duhet të nxirren në ambient të hapur gjatë periudhës prej orës 11 deri në orën 17. Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Punë Sociale në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit duhet të ofrojnë ndihmë për personat e vetmuar, të moshuarit, të pamundurit dhe pastrehët”, rekomandojnë nga Qeveria.
Për shkak të temperaturave të larta mbi 40 gradë Celsius, të cilat kanë kapluar vendin nga fillimi i javës, nga Qeveria kanë dalë me rekomandime për mbrojtjen e popullatës nga “faza portokalli” nga data 12 deri më 14 gusht. Sot Qeveria kumtoi se masat dhe rekomandimet do të vlejnë edhe nesër.