Departamenti Amerikan i Shtetit ka deklaruar se nuk mbështet asnjë ndryshim në statusin aktual të urës së Ibrit në Kosovë.
Kështu u shpreh një zëdhënës i DASh-it për “Pavlovic Today”.
“Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin asnjë lëvizje për të ndryshuar statusin aktual të Urës së Mitrovicës në këtë moment. Hapja e urës për lëvizjen e automjeteve tani rrit potencialin për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, ka deklaruar zëdhënësi i DASh-it.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë këtë veprim të pakoordinuar dhe njëanshëm dhe të diskutojë çështjen brenda dialogut të lehtësuar nga BE,” tha zëdhënësi.
Departamenti i Shtetit theksoi se ky qëndrim është në përputhje me atë të partnerëve të QUINT-it, si dhe të BE-së dhe NATO-s.
Qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas Departamentit të Shtetit, është që “të punojnë me Qeverinë e Kosovës për të krijuar kushtet në të cilat ura mund të hapet për qarkullimin e automjeteve”.
Për këtë qëllim, Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës “të kthehet në angazhimin e ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”.