Shkup, 13 gusht – “Si qeverisje e re kemi gjetur institucione të shkatërruara që aktualisht nuk kanë kapacitet për të shërbyer qytetarët”, kështu deklaroi zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti në manifestimin për shënimin e 23 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.
Mexhiti mes tjerash potencoi se qeveria e re po punon për të rikthyer shtetin në rrugën e duhur.
“A duhet dhe a mund të jetë më ndryshe? Natyrisht ka një sërë pyetjesh të hapura, por jam i bindur plotësisht se ngadalë por me siguri është koha për zgjidhje të përbashkëta që do të jenë një vlerë e re shoqërore në kultivimin e marrëdhënieve ndëretnike. Maqedonia e Veriut sot po përballet me sfida serioze. Si qeverisje e re kemi gjetur institucione të shkatërruara që aktualisht nuk kanë kapacitet për të shërbyer qytetarët, por ne po punojmë shumë për të rikthyer shtetin në rrugën e duhur. Më 8 maj shumica e shqiptarëve sollën vendimin për ndryshim për të mirë”, tha zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti.