Trazirat anti-emigracion që kanë prekur Anglinë nuk janë thjeshtë protestë por një dhunë e mirëfilltë.
Kështu është shprehur Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer në një reagim pas përfundimit të takimit të tij me shefat e policisë së vendit.
Me tone të ashpra dhe paralajmërimi, Kryeministri përmendi faktin se të gjithë ata që kanë marrë pjesë në protestat e dhunshme do të ndëshkohen nga ligji.
“Sido qoftë motivimi, kjo nuk është protestë. Është dhunë e pastër. Dhe ne nuk do të tolerojmë sulmet ndaj xhamive apo komuniteteve tona muslimane. Kështu që fuqia e plotë e ligjit do të ushtrohet ndaj të gjithë atyre që janë identifikuar se kanë marrë pjesë në këto aktivitete”.
Kryeministri britanik ka marrë vendimin për krijimin e forcave të gatshme të përhershme me oficerë specialë për ruajtjen e rendit publik dhe për përballjen me situata të tilla të dhunshme. Plani i Starmer ka marrë edhe mbështetjen e komuniteteve lokale në Angli.
“Një sërë veprimesh dolën nga takimi, e para është fakti se do të kemi një force të gatshme përhershme me oficerë specialist, në mënyrë që të kemi mjaftueshëm personal për t’u marrë me këto situata”.
Protestat e dhunshme kundër emigrantëve të ardhur kanë shpërthyer në qytete në gjithë Britaninë pas vrasjes së tre vajzave në një sulm me thikë në një klasë vallëzimi për fëmijë në Southport, në pjesën veriperëndimore të Anglisë.
Grupet anti-imigracion dhe anti-mysliman morën shkas nga këto vrasje për të protestuar pasi u përhapën informacione të rreme se i dyshuari ishte një emigrant radikal islamik. Mbi 420 persona janë arrestuar deri më tani.
Qeveria britanike ka kërcënuar këdo që përfshihet në protesta të dhunshme se do të burgoset. Një zëdhënës i 10 Dowing Street, ironizoi me faktin se, Anglia ka mjaft qeli të lira për të burgosur secilin person që përfshihet në akte dhune.