Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Policisë së Kosovës në 25 vjetorin e themelimit të saj sot i shtohen edhe 448 policë të rinj.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook Kurti ka shkruar se themelimi i Policisë përkon me çlirimin e vendit.
“Zhvillimi i saj ecën krah për krah me përparimin e shtetit. Gjenerata jubilare e 60-të, në të cilën çdo e pesta është grua, e ku si në çdo gjeneratë tjetër ka edhe kadetë të diplomuar nga radhët e komuniteteve joshumicë, do të shërbejë me nder dhe dinjitet, pa dallim e për të gjithë, si vlera, parime dhe identitet i Policisë sonë”, ka shkruar Kurti.
“Policia ka gati 50 përqindje më shumë buxhet sesa kishte para qeverisjes sonë. Kemi bërë investime prej afër 17 milionë euro në pajisje policore logjistike, 3 milionë euro në rregullimin dhe ndërtimin e objekteve policore, gati 8 milionë euro në flotën automjeteve dhe autoblindave. Sepse misionin për vendin tonë e kemi të përbashkët. Çdo sfidë e çdo sukses, do ta kalojmë bashkë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Edhe ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës si institucioni me besueshmërinë më të lartë nga qytetarët, e konfirmuar kjo nga raportet e matjet e instituteve kredibile vendore e ndërkombëtare, sot forcoi radhët e saj me 448 kadetë të rinj policorë.
“Gjenerata e 60-të me 448 kadetë, kurorëzuan sot punën dhe përkushtimin e tyre duke u betuar si pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Në ceremoninë e diplomimit të tyre ndamë krenarinë me kadetët e familjarët e tyre dhe rikonfirmuam mbështetjen tonë të parezervë për ta dhe Policinë e Kosovës.
Urime diplomimi 448 kadetëve policor. U jemi mirënjohës për gatishmërinë për ti shërbyer Republikës së Kosovës në çdo pjesë të saj”, ka shkruar Sveçla në Facebook.