Ajo që nisi si thashethem në fillim të javës tashmë është zyrtare.
Aleanca Honda-Nissan e shpallur në mars po zgjerohet për të përfshirë një tjetër prodhues automobilistik japonez – Mitsubishin.
Bëhet e ditur se të tre kompanitë kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për të diskutuar mënyrën më të mirë për të punuar së bashku në automjetet elektrike.
Ato do të bashkojnë paratë për të përmirësuar teknologjinë autonome të drejtimit, lidhjen dhe Inteligjencën Artificiale (Al), përcjell Telegrafi.
Bashkëpunimi do të përfshijë gjithashtu zhvillimin e përbashkët të baterive të reja dhe boshteve elektrike me motorë dhe inverterë të përbashkët.
Është interesante se Nissan dhe Honda gjithashtu kanë rënë dakord të ndajnë modelet dhe të plotësojnë linjën e njëri-tjetrit, si me vetura me djegie ashtu edhe me EV.
Meqenëse Mitsubishi sapo ka nënshkruar memorandumin, është e parakohshme të thuhet nëse edhe ai do të përfshihet në këtë strategji të quajtur zyrtarisht si “plotësim i ndërsjellë i automjeteve”.
Ndryshe, kjo nuk është aleanca e parë e madhe midis prodhuesve japonezë të automjeteve të shpallur këtë vit.
Disa muaj më parë, Toyota, Mazda dhe Subaru mbajtën një konferencë të përbashkët për të shprehur angazhimin e tyre afatgjatë ndaj motorëve me djegie.