Shkup, 14 gusht – Drejtoria Doganore në korrik ka realizuar gjithsej të hyra prej 11.9 miliardë denarë, gjegjësisht 195 milionë euro, që është për 16,6 për qind më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Drejtoria njoftoi se kjo është shuma më e lartë e të ardhurave të mbledhura të realizuara në bazë mujore që nga ekzistenca e saj.
Drejtori Boban Nikollovski në një letër drejtuar mediave thekson se që në ditën e parë të emërimit në pozitën drejtuese ka premtuar, siç thotë, “arritje të rezultateve të dukshme dhe të shpejta”.
“Këtë mesazh e ndava me të gjithë punonjësit e Drejtorisë Doganore dhe kërkova angazhim maksimal nga ana e tyre dhe profesionalizëm në të gjitha nivelet. Rezultatet e para i shohim sot, kur kur shënojmë të hyrat më të larta të realizuara në nivel mujor që nga ekzistimi i Drejtorisë Doganore. Ky rezultat le të jetë motiv për të gjithë doganierët për përpjekje edhe më të mëdha për rezultate më të mira në të gjitha sferat e punës doganore edhe në të ardhmen”, theksoi Nikollovski.
Drejtoria Doganore në njoftim thekson se mbetet e fokusuar në marrjen e masave dhe aktiviteteve në drejtim të rritjes së disiplinës financiare dhe mbledhjes së të hyrave nga të gjithë pjesëmarrësit në procedurat doganore.
“Kjo do të rezultojë në një përmirësim të buxhetit të shtetit, ndërsa me këtë edhe përmirësim të standardit të jetesës së qytetarëve”, thuhet në njoftim.