Shkup, 31 maj – Përkundër dallimeve të mëdha që kanë subjektet politike mes veti, veçanërisht tani në prag të formimit të qeverisë së re, një pikë i bën bashkë të gjitha partitë: integrimi evropian. Në uadër të politikave ditore dhe në luftën për pikë politike, vërehen tentime për të akuzuar njëra-tjetrën për anti europianizëm, por suma-sumarum, asnjëra nuk sjell në pikëpyetje orientimin strategjik euro-atlantik të vendit. Një gjë të tillë aq mund ta bëjnë, sepse ky orientim ka përkrahjen e shumicës absolute të qytetarëve të vendit. Prandaj, edhe polet më të largëta politike për momentin, VMRO-DPMNE dhe BDI, sado që grinden e kundërshtohen mes vete, në takimet që realizojnë me ndërkombëtarët, bisedat i fillojnë dhe i mbarojnë me eurointegrimet, shkruan Zhurnal.
Këtë qëndrim, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski e ka theksuar edhe në takimin me ambasadoren zvicerane në vend, ku poashtu janë theksuar edhe elemente të rëndësishme që duhet plotësuar në përmbushjen e kushteve për integrim në BE, siç ëstë lufta kundër korrupsionit.
Mickovski takoi ambasadoren e Zvicrës, Veronik Hulman së bashku me anëtaren e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së dhe deputete Marija Miteva dhe sekretarin për bashkëpunim ndërkombëtar Stefan Andonovski,.
Në takim, thuhet në kumtesën e partisë, u bisedua për hapat e ardhshëm të VMRO-DPMNE-së për formimin e qeverisë stabile dhe është theksuar përkushtimi i fuqishëm në tri postulatet kryesore – lufta kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillimi i përshpejtuar ekonomik dhe reformat e domosdoshme për rrugën e integrimit evropian të shtetit.
“Kryetari Mickoski e falënderoi ambasadoren për mbështetjen që Zvicra i ka dhënë Maqedonisë që nga pavarësia e deri më sot dhe është konfirmuar bashkëpunimi që do të thellohet dhe zgjerohet në të ardhmen”, thuhet në kumtesë.
Integrimi ka qenë edhe kryefjala e takimit të fundit të ministrit të Punëve të jashtme, Bujar Osmani, me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.
Osmani thotë se me kryediplomatin amerikan kanë biseduar për vazhdimin e kursit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.
“Me Sekretarin Blinken bisedova për aktualitetet në vendin tonë dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të kursit euroatlantik të vendit, përkushtimin për demokracinë multietnike funksionale dhe respektimin e tre marrëveshjeve. Falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve”, ka shkruar Osmani.
Kuptohet se për çdo çështje ekzistojnë edhe mendime të ndryshme, por fat qëjanë indidviduale, e nuk janë zzyrtare. Kështu, Marjan Gjorçev, ish ambasadori i Maqedonisë së Bullgari, sot deklaroi se propozimi francez nuk është i mirë për Maqedoninë dhe se Marrëveshja me Bullgarinë mund të rinegociohet.
“Propozimi francez nuk është i mirë për Maqedoninë. Marrëveshja me Bullgarinë mund të rinegociohet. Ka një nen që thotë se mund të rinegociohet”, tha Gjorçev në emisionin “Dejli klik.
Në pyetjen se eurokomisari Oliver Varhei paradokohe deklaroi se Marrëveshja nuk mund të rinegociohet, Gjorçev tha se tani Varhei do të ndërrohet, e gjithashtu do të ketë zgjedhje edhe në Bullgari.
“Varhei tani do të ndërrohet. Nuk do të jetë ai, do të jetë dikush tjetër. Kjo është mundësia. Në fillim ka mundësi pasi ka zgjedhje në Bullgari, dhe ju do të shihni se cilat janë ato forca. Në Bullgari ka shumë politikanë racionalë, të cilët e vlerësojnë Maqedoninë. Personalisht mendoj se me këta persona të GERB mund të negociojmë. Petkov ka qenë në VMRO-DPMNE, kemi biseduar në mënyrë shumë konstruktive, me zgjuarsi se si t’i tejkalojmë problemet. Ju keni të drejtë të propozoni një aneks të asaj marrëveshje. Ndërsa, LSDM-ja kur panë se ishte qorrsokak, duhej të propozonin ndryshime të të njejtit”, deklaroi Gjorçev.
Vendet e BE-së së shpejti i presin zgjedhje për Parlamentin Evropian, prandaj subjekte të caltuara politike mundohen të përfitojnë pikë në kurriz të raporteve me vendin tonë, shkruan Zhurnal.
Kësisoj, lideri i SYRIZA-s Stefanos Kaselakis në intervistën për televizionin shtetëror grek “ERT” tha se nëse Qeveria dhe Kryeministri grek Micotakis, konsiderojnë se Marrëveshja e Prespës është e dëmshme, le të shkojnë te VMRO të dakordohen për një marrëveshje të dobishme.
Kryetari i partisë opozitare greke tha se qeveria aktuale dhe kryeministri Kirjakos Micotakis në vitin 2019 “e instrumentalizuan çështjen, e ndanë popullin dhe i nxorrën në rrugë”.
“Dhe që atëherë, jo vetëm që nuk ka bërë asgjë për të ratifikuar aspektet pozitive të kësaj marrëveshjeje, por përkundrazi vjen e na thotë: “është një marrëveshje e dëmshme, por unë e respektoj”. Nëse është një marrëveshje e dëmshme, le të shkojë te VMRO-ja, e cila është parti fqinje në Partinë Popullore Evropiane, le të shkojë atje për të rënë dakord për një marrëveshje të dobishme”, tha Kaselakis.
Shtoi se nëse vërtet Micotakis nuk pajtohet me Marrëveshjen, atëherë ” me siguri do të gjejë terren më të favorshëm te qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut”.
“Le të shkojë atje dhe të bëjë një marrëveshje të dobishme. Ndryshe le ta pranojë se e ka instrumentalizuar dhe se po gënjen sërish popullin grek”, shtoi lideri i SYRIZA-s për “ERT”./Zhurnal