Kryeministri i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Radovan Vishkoviç, ka njoftuar se në 30 ditët e ardhshme, qeveria që ai drejton do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të BeH-së, Federatës së Bosnje e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.
Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës Srpska të enjten, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), ku pritet që të votohet rezoluta që dënon gjenocidin në Srebrenicë.
“Kjo nuk është shkëputje, ndarje paqësore nuk është shkëputje, e drejta e garantuar me Kushtetutë është ndarja paqësore. Ne do të ofrojmë, nëse na konsideroni komb gjenocidal, që nuk jemi, atëherë nuk kemi pse të jetojmë së bashku”, tha Vishkoviç, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.
Në këtë mbledhje të qeverisë prezent ka qenë edhe Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska, Millorad Dodik.
Ndryshe, të enjten e 23 majit Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të votojë pro ose kundër projekt-rezolutës për gjenocidin e Srebrenicës.
Seanca në fjalë pritet të nis në orën 16:00.
Gjermania dhe Ruanda janë dy vendet nismëtare të projekt-rezolutës.
Para votimit pritet që të flasë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Draft-rezoluta ka për qëllim të shpallë 11 korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Shënimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”.