Shkup, 23 maj – Seanca konstitutive e Kuvendit është caktuar për të martën e ardhshme, më 28 maj. Me seancën deri në zgjedhje të kryetarit të Kuvendit, konform Rregullores për punës, do të kryesojë deputeti më i moshuar, ndërsa në përbërjen e sapozgjedhur ajo është deputetja Merita Kolçi Koxhaxhiku.
Nga pres-shërbimi qeveritar, sot infomojnë se kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, në bazë të nenit 9 paragrafi (2) nga Rregullorja e Kuvendit ka mbajtur takim me përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e sapozgjedhur, në të cilin në mënyrë konsensuale është vendosur seanca konstitutive, pas mbajtjes së zgjedhjeve të 11-ta parlamentare, të mbahet më 28 maj të vitit 2024, e martë në ora 11.
Kryetari Mitreski i ka informuar të pranishmit se rendi i ditës i seancës konstitutive, sipas Rregullores, do të ketë tre pika, gjegjësisht përzgjedhjen e Komisionit verifikues, përzgjedhjen e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, si dhe përzgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Seanca konstitutive, sipas Rregullores së re, zgjat të paktën tre ditë, ndërsa Kuvendi është konstituuar me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Në takimin e sotëm morën pjesë Nikolla Miceski nga Koalicioni “Maqedonia juaj” – VMRO-DPMNE; Oliver Spasovski nga Koalicioni për Ardhmërinë Evropiane – LSDM; Arbër Ademi nga Koalicioni “Fronti Evropian”; Halil Snopçe nga Koalicioni “Vlen”; Borisllav Krmov nga partia E Majtë dhe Boban Karapejovski nga Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë.
Në takim morën pjesë edhe Merita Kolçi Koxhaxhiku, si deputetja më e vjetër, si dhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Cvetanka Ivanova.