Përdorimi i Al në qendrën e re të kontrollit të linjës easyJet i ka lejuar ekipet të menaxhojnë më mirë fluturimet, ka njoftuar linja ajrore.
Bëhet e ditur se personeli në qendrën e kontrollit të integruar pranë aeroportit Luton, Bedfordshire, ka qasje në Jetstream, mjet ky gjenerues me Al.
Siç raportohet, në qendër punojnë më shumë se 250 persona dhe menaxhojnë programin ditor të easyJet me rreth 2,000 fluturime, shkruan BBC.
Përgjegjësitë e tyre përfshijnë planifikimin e rrugëve, shpërndarjen e pilotëve dhe ekuipazhit, mirëmbajtjen e aeroplanëve dhe komunikimin me pasagjerë.
Shefi i easyJet, Johan Lundgren, tha se tani stafi mund të përfitojë nga një qendër “moderne” për të punuar.
“Në easyJet, ne pamë që herët potencialin për të përmirësuar përvojën e klientit dhe efikasitetin operacional, të cilat mund të na ndihmojnë të ofrojmë një përvojë më të mirë fluturimi për klientët, ekuipazhin dhe pilotët tanë”, tha Lundgren.
“Dhe ndërsa nuk mund ta shihni gjithmonë, teknologjia tashmë është duke punuar shumë në ajër dhe në tokë, duke na ndihmuar të parashikojmë saktësisht se çfarë ushqimi dhe pije na nevojitet për rrugë të caktuara”, shtoi ai.
Ndryshe, shefi i linjës ajrore theksoi se Al ka ndihmuar në reduktimin e mbetjeve ushqimore dhe zgjedhjen e aeroplanit të duhur për të përmbushur kërkesën.