Shkup, 23 maj – Përkrahja serioze ndaj tranzicionit të gjelbër në vend do të jetë qëllimi i Këshillit të ri për ndërtimin e gjelbër të Maqedonisë së Veriut, themelimi i të cilit është paralajmëruar në kuadër të projektit “Ndërtimi dhe rinovimi efikas energjetik në Ballkanin Perëndimor”, në bashkëpunim me Odën e arkitektëve të autorizuar dhe inxhinierëve të autorizuar. Këshilli do të jetë i dedikuar për të gjithë aktorët që janë pjesë e sektorit të ndërtimit.
Ky projekt është pjesë e programit RECONOMY – zhvillimi ekonomik gjithëpërfshirës dhe i gjelbër të cilin e zbaton CeProSARD.
Koordinatori i programit për efikasitet energjetik në Ballkanin Perëndimor për Maqedoninë, Igor Pançovski sot para fillimit të konferencës për themelimin e Këshillit të ndërtimit të gjelbër në Odën e arkitektëve të autorizuar dhe inxhinierëve të autorizuar, deklaroi se tranzicioni i gjelbër si fjalë përdoret sot nga shumë njerëz, e gjejmë kudo, por analizat tregojnë se ka shumë pak njohuri dhe ne bëjmë shumë pak punë në këtë aspekt.
Këshilli për ndërtimin e gjelbër do të udhëhiqet nga Këshilli botëror për ndërtim të gjelbër, me mbështetjen e konsulentëve nga Kroacia.
“Përmes Këshillit për ndërtim të gjelbër do të orvatemi të transmetojmë informacionin për të rritur njohuritë në fushën e tranzicionit të gjelbër, të bëjmë përpjekje për të treguar se cilat janë hapat e ardhshëm, ndërgjegjësimi i qytetarëve, çfarë do të thotë ndërtimi i gjelbër si i tillë”, shton Pançovski.
Sipas hulumtimeve të tyre, edhe pse flasim shumë për tranzicionin e gjelbër, bëjmë shumë pak për të. Ndërgjegjësimi, siç tha ai, është në nivel të ulët.
“Qëllimi i këtij Këshilli është që përmes aktiviteteve të ndryshme, në bashkëpunim me Odën sot dhe me të gjitha institucionet tjera ta ngrisim këtë. Vetë projekti dhe Këshilli për ndërtim të gjelbër do të bëjë një strategji serioze se si t’i qasen publikut, nëse shteti është i gatshëm të ndihmojë në pjesën e tranzicionit të gjelbër dhe ta përshpejtojmë ritmin dhe ta bëjmë atë në drejtimin e duhur”, ka thënë Pançovski.
Për mënyrat e themelimit të Këshillit për ndërtimin e gjelbër, kontributet që sjell ajo për shoqërinë dhe vetë sektorin e ndërtimit sot në konferencë i ka prezantuar Dean Smolar, drejtor ekzekutiv i Këshillit për ndërtime të gjelbra në Kroaci. Ai potencoi se do të vazhdojë të mbështesë të gjitha Këshillat për ndërtim të gjelbër në rajon, përfshirë edhe atë në vend, në kuadër të kohëzgjatjes së projektit.
RECONOMY është një program gjithëpërfshirës për zhvillim ekonomik të Agjencisë suedeze për zhvillim për bashkëpunim ndërkombëtar (Sida), implementuar nga HELVETAS Swiss Intercooperation në partneritet me CeProSARD dhe të tjerë nga Partneriteti lindor dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Aktivitetet kryhen në këto vende nga Ballkani Perëndimor: Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.