Shkup, 21 maj – Shëndeti pjesa elementare dhe primare për secilin qytetarë të vendit pavarësisht përkatësive, duke qenë pjesa më e rëndësishme për ironi është pjesa për të cilën më së paku kujdesen qytetarët e këtij vendi. Kjo mund të vij për arsye të ndryshme edhe pse arsyetimi në këtë rast nuk është çështje justifikimi por është sqarim përse qytetarët janë katandisur në këtë gjendje ku shumë pak pothuajse aspak kujdesen për shëndetin e tyre. Jeta e rënduar socio-ekonomike ka ndikim direkt, qytetarët teksa përballen e kalojnë kohën për të siguruar mjete për të mbijetuar në këtë katrahurë të krijuar e kanë të pamundur që në të njëjtën kohë të kujdesen edhe për shëndetin e tyre. E dyta që është jo më pak e rëndësishme mungesa e kushteve optimale në spitale, një qytetar pavarësisht cilit do vend që shkon në spitalin shtetëror në Shkup duhet ta humbë të paktën një ditë të tërë deri sa t’i vijë radha për kontroll. Edhe një varg problemesh tjera pamundësojnë kujdesin e qytetarëve për shëndetin e tyre, shkruan Zhurnal.
Qytetarët shumë pak kujdesen për shëndetin e tyre –
Nga obligimet e përditshme jetësore, njerëzit ndonjëherë harrojnë më të rëndësishmen, shëndetin. Madje qytetarët kujdesin ndaj vetes e lënë në rend të fundit dhe kjo sipas mjekëve është zanafilla e çdo sëmundje. Ngritja e vetëdijes për preventivë të çdo sëmundje ishte fokusi i sotëm i Shoqatës së mjekëve amë, të cilët në ditën botërore të mjekësisë familjare mbajtën evenimentin me moto “Planet i shëndetshëm për njerëz të shëndetshëm”. Kreu i shoqatës Dragan Gjeorgjievski tha se një herë në 6 muaj çdo qytetarë duhet të shkoj te mjeku amë për të bërë ekzaminimet bazike siç janë analizat e plota laboratorike. Mjeku familjar është i detyruar të komunikoj me pacientë për t’i thirrur të matë tensionin e gjakut, glikeminë dhe analizat e gjakut, këto janë bazat që japin indicie për gjendjen tuaj shëndetësore.
“Njerëzit janë të prirë të vijnë në mjek vetëm kur të jenë në gjendje të rëndë shëndetësore, por ka edhe prej tyre që vijnë pa arsye se, bie fjala, janë gërvishtur në ombrellë por nuk kanë nevojë të shkojnë as te mjeku amë. Kurse gjendja tjetër ekstreme, bie fjala, kur është mbytur në temperaturë të lartë prej 10 ditësh me frymëmarrje të vështirësuar dhe ka pritur t’i kaloj prej vetit në shtëpi. Prandaj nga masat preventive, vërejmë se është rritur numri i diabetikëve në gjeneratat e mesme dhe të reja pas periudhës së Kovidit, nga 2022 e këtej. Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vërejtur këtë trend në nivel global”, tha Dragan Gjeorgjievski, Kryetar i Shoqatës së mjekëve amë për Alsat.
Kujtojmë që, një nga arsyet kryesore përse qytetarët nuk kujdesen për shëndetin e tyre është fakti që janë të ngarkuar nga kriza e shtuar ekonomike që çdo ditë e më shumë po varfëron qytetarët. Dhe, arsyeja tjetër mjaftë me peshë është mungesa e kushteve optimale shëndetësore që ndërlidhet edhe me mungesën e personelit mjekësor.
Nëse mungon një hallkë shëndetësia nuk mund të funksionojë –
Infermierët janë hallkë shumë e rëndësishme për funksionimin normal të shëndetësisë, dhe nëse kjo hallkë mungon shëndetësia “bankroton” dhe humbë rendin e funksionimit. Infermierët janë në kontakt të përditshëm e të përhershëm me pacientët gjatë hospitalizimit. Mjekët vetëm shkruajnë terapinë dhe realizojnë vizitat, pjesën tjetër të kohë pacientët janë në dorë të infermiereve.
Dhe, nga këtu kuptohet rëndësia dhe pesha e punës së infermierëve. Por, siduket puna e tyre nuk po vlerësohet mjaftueshëm në vend prandaj ata po kërkojnë vlerësim dhe kushte më të mira larg vendit të tyre. E për këtë Ministria e Shëndetësisë as që brengoset të hartojë ndonjë plan veprimi se si ta ndalë këtë ikje masive të infermiereve.
Rreth 12 infermiere në muaj largohen nga Maqedonia e Veriut. Këtë alarm e ka ngritur Shoqata e Infermierëve për anestezi, reanimacion dhe kujdes intensiv në RMV.
Nga kjo shoqatë theksojnë se infermieret kërkojnë rekomandime nga shoqatat dhe spitalet ku punojnë dhe më pas largohen jashtë vendit për punë, më së shumti shkojnë në Gjermani dhe Zvicër, Kroaci, etj.
“Infermieret duan të mësojnë dhe të largohen, dhe nuk duan të punojnë në Maqedoni, arsyeja është paga e ulët, ka shumë punë. Jemi të mbingarkuar. Jemi një numër i vogël. Një motër punon sa për tre veta. Një infermiere në kujdesin intensiv kujdeset për 5-6 pacientë. Kjo është shumë. Një infermiere duhet të kujdeset për një pacient. Kemi kaluar kovidin, kemi kaluar shumë momente të vështira dhe ende nuk kemi mirëkuptimin e institucioneve të rëndësishme për të vlerësuar punën tonë”, theksoi kryetarja e shoqatës së infermiereve, Juliana Kazanxhiska.
Çfarë është bërë për të ndalë ikjen e personelit mjekësor?
Si duket në vendin tonë çdoherë ka diagnostikim të problemeve dhe dukurive të dëmshme, por që rrallë herë apo asnjëherë nuk merren masa parandaluese ose të paktën kurim i i problemeve shqetësuese. Në rastin në fjalë për të ndalë ikjen e mjekëve nuk është marrë as edhe një masë e vetme konkrete për të parë si përpjekje që ndalon këtë ikje që është shumë e dëmshme për vendin.
Institucioni përgjegjës, Ministria e Shëndetësisë, shpesh e ngrit si çështje problematike dhe shqetësuese por asnjëherë nuk ofron një program apo strategji afatgjate që do të ndalte këtë ikje, pse jo të jetë një strategji e mirë hartuar që edhe ata që kanë ikur të kthehen. Por, është krijuar shprehi e zakonshme që në vend të veprimit përfundon gjithçka vetëm me diskutim verbal ose në letër e asgjë në vepër.
Ministria e Shëndetësisë në koordinim me institucionet tjera duhet tu mundësojë mjekëve të rijnë specializimin e tyre në fushat përkatëse me shumë të ulëta por edhe atyre mjekëve që nuk kanë libreza partiake. Në këtë formë të plotësohet edhe deficiti i specialistëve në fusha më specifike si, anesteziologët, infektologët, urologët, e të tjera. Pagat që marrin mjekët në këtë vend janë fyese deh nënvlerësuese të mundit të tyre përgjatë studimeve dhe duke zgjedhë profesionin i cili në vete ngërthen edhe mision human.
Stimulimi dhe motivimi i studentëve të studiojnë mjekësi dhe të vazhdojnë specializimin e tyre duke ju garantuar punë që vlerësohet financiarisht dhe moralisht, pasi pothuajse nuk kalon një muaj pa u rrahë ndonjë mjek brenda vendit në ndonjë spital. Siguria fizike, stabiliteti ekonomik, përkrahja shtetërore për specializim janë masat kryesore që duhet të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse për të ndalë ikjen e mjekëve. Pra, duhet me urgjencë të rrisin pagat e punonjësve shëndetësor më e rëndësishme se rritja e pagave për punonjësit shëndetësor është edhe rritja e buxhetit në përgjithësi për shëndetësinë dhe krijimi i kushteve nëpër spitalet publike. /Zhurnal.mk