Më 22 maj, Shkupi do të jetë vendi ku do të mbahet një ngjarje unike muzikore e titulluar “Sesioni i Majit” e cila do të zhvillohet në platonë para Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” me fillim në ora 20:00. Organizuar nga Europe House, kjo ngjarje do të ngjajë në një makinë kohore muzikore, ku hitet e vjetra do të marrin një pamje të re përmes performancave të talenteve të rinj muzikorë.
Këngët do të performohen nga disa nga bendet më të njohura të skenës muzikore vendore, si Dina Jashari, Funk Shui, Retro Kabare etj., të cilët do të performojnë këngë të njohura nga këngëtarë si Erzana Berisha, Blla Blla Blla dhe shumë të tjerë. Për argëtim shtesë do të kujdesen edhe DJ Goce & LD Pistolero, të cilët si zakonisht do të sigurojnë që argëtimi të arrijë një intensitet edhe më të lartë. Secili artist do të ofrojë interpretim në stilin e tij, duke bashkuar traditën dhe modernitetin në një.
Përveç muzikës, ngjarja do të ofrojë edhe panair libri, dyqan pop-up vinili dhe një gamë të gjerë të kënaqësive gastronomike që do të përmbushin shijet e ndryshme të vizitorëve. Këto aktivitete do të fillojnë dy orë para koncertit, ose më saktësisht në ora 18:00.
Organizatorët premtojnë një mbrëmje përplot kulturë, art dhe argëtim. “Të gjithë ata që dëshirojnë të përjetojnë një ngjarje të pazakontë muzikore dhe të jenë pjesë e një përvoje kulturore të paharrueshme, kjo është një mundësi që nuk duhet të humbasin. Ejani të dëgjojmë dhe shijojmë pulsin e së kaluarës të kryqëzuar me kreativitetin e të tashmes, dhe atë në zemrën e kryeqytetit,” thonë nga Europe House.