“Luani i Gllogjanit, ishte kthyer në luan të UÇK-së” – Kurti dhe liderët politikë kujtojnë Luan Haradinajn në 27 vjetorin e rënies së tij

Liderët politikë e institucional të Kosovës, kanë kujtuar heroin Luan Haradinajn në 27 vjetorin e rënies së tij.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar se gjatë katër viteve të fundit të jetës së tij, Luan Haradinaj e kishte kaluar shumë herë kufirin jugosllav të vendosur dhunshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Atë ditë, ai po i printe grupit të luftëtarëve që po hynin nga Shqipëria në Kosovë, nga fshati Vlahne e Hasit në drejtim të Kuzhinit. Data ishte 6 maj 1997, ditë e martë. Në grupin që po i printe Luani, ishte vëllai i tij, Ramushi, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli, Rafet Rama, Gani Rama e Selim Krasniqi. Kur iu afruan zonës kufitare në Qafëmullar, ata u ndeshën me ushtrinë jugosllave, në një terren të zhveshur dhe në një reliev të egër malor. Luani mbeti i vrarë në vend, kurse Rafeti, Fehmiu dhe Ramushi u plagosën”, ka shkruar Kurti.

https://www.facebook.com/albini2017/posts/987527942740933?ref=embed_post

Kryeministri ka shtuar se gjaku i Luan Haradinajt, i skuqi gurët e kufirit që ai i kishte ëndërr t’i shembte mes barrierash që duheshin eliminuar në rrugën e vështirë për bashkimin e shqiptarëve.

“Nga ajo kohë do të duheshin edhe gjashtë muaj që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të shfaqej publikisht, por Luani me vëllezër dhe shokë kishte vite që punonin për atë ditë. Me aktivitetet dhe ndërlidhjet mes grupeve, me aksionet e armatosura, me furnizimet me logjistikë dhe me shembullin e angazhimit të tij me përkushtim e trimëri, Luani i Gllogjanit, ishte kthyer në luan të UÇK-së. Sot u bënë 27 vite nga dita e rënies së Luanit, në një kohë kur ai ishte vetëm 23 vjeçar. Lavdi Luan Haradinajt për veprën e tij patriotike mes shokësh dëshmorë të rënë për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar Kurti.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kujtuar ish-luftëtarin e UÇK-së, Luan Haradinaj.

Krasniqi ka shkruar se 27 vjet më parë ra heroikisht në altarin e lirisë, Luan Haradinaj.

“Ndonëse rrugëtimi i tij i fundit drejt Kosovës mbeti në gjysmë, ideali për Kosovën e lirë, për të cilin Luani u flijua, shërbeu si burim frymëzimi për brezat pasues të luftëtarëve dhe u finalizua me çlirimin e vendit. Sypatrembur e zemërluan, guximtar dhe atdhetar. Kështu do të kujtohet përherë heroi Luan Haradinaj. Lavdi jetës dhe veprës së tij!”, ka shkruar Krasniqi.

https://www.facebook.com/memli.krasniqi/posts/947232450108819?ref=embed_post

Luanin e ka kujtuar edhe vëllai i tij, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Haradinaj nga kompleksi memorial në Gllogjan ku u mbajtën homazhe për nder të Luan Haradinajt, tha se falë ndihmës dhe aleancës me Amerikën, Kosova e ka fituar luftën.

“Ka ndodhur një mrekulli e madhe që është aleanca me Amerikën. Kjo aleancë me Amerikën, na ndihmoi ta fitojmë këtë luftë, na ndihmoi të bëhemi të pavarur dhe të bëjmë ushtrinë”, u shpreh ndër të tjera Haradinaj.

https://www.facebook.com/watch/?v=3542647062732616

Ai përmendi edhe ditëlindjen e nënës së tij, për të cilën tha se e festoi dje, pasi në ditën e saj të lindjes, ra Luan Haradinaj.

Luan Haradinajn e ka kujtuar edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu.

Përmes një postimi në Facebook, Aliu ka shkruar dy vargje të këngës së këngëtarit, Iir Shaqiri, dedikuar për heroin Luan Haradinaj,

“Edhe Uragani ka nja cak pushimi,n’rrenze të një Shkëmbi, ku bën gjumin Trimi. Lavdi lajmëtarit të lirisë, heroit të kombit, Luan Haradinaj!”, ka shkruar Aliu.

https://www.facebook.com/liburn.aliu/posts/10224831385472942?ref=embed_post

Hot this week

Zbulohen emrat, ja kush janë banorët e konfirmuar të “Big Brother VIP”

Gjithçka është gati për nisjen e edicionit të katërt...

Rënie prej 1.2 për qind të prodhimit industrial në muajin prill

Shkup, 31 maj - Prodhimi industrial në prill të këtij...

Rruga Prizren -Tetovë po fillon të ndërtohet

Prizren, 2 gusht - Sot janë nënshkruar kontratat për...

Del lista e LDK-së me kandidatët për deputetë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpallur listën përfundimtare me...

Related Articles