20 vjet zgjerim i BE-së: Si do të vazhdohet më tej?

Shkup, 1 maj – “Big Bang” – Ribashkimi i madh europian u realizua më 1 maj 2004 me raundin e madh të zgjerimit lindor. Por tani me pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Ukrainës, BE do ta ketë të vështirë.

“Big Bang”, këtë emërtim mban zgjerimi i Bashkimit Europiannë zhargonin e BE-së përpara 20 vjet më 1 maj 2004, kur në bllok u pranuan dhjetë vende të reja anëtare. Numri i vendeve anëtare qysh atëherë arriti nga 15 në 25. Kontinenti asokohe u ribashkua 15 vjet pas rënies së Murit të Berlinit dhe fundit të sundimit sovjetik në Europën Lindore. Me festa popullore dhe fishekzjarre, fjalime solemne dhe heqje barrierash kufitare përpara 20 vjetësh u kremtua bashkimi me vende që nga Estonia në veri e deri tek Sllovenia në jug. Ishulli mesdhetar, Malta dhe Qiproja gjithashtu u pranuan në bllok.

“Ky ishte një sinjal i fuqishëm ndaj Rusisë, por jo vetëm kaq. Ky hap tregoi aftësinë e BE-së për të marrë vendime të fuqishme, për të zgjeruar rradhët e veta dhe për të përmbushur kushtet. Gjithçka kaloi pozitivisht, sepse në në BE dhe në vendet kandidate ekzistonin kushtet përkatëse politike, që ishin të favorshme, krahasuar me vendet kandidate sot”, mendon Tefta Kelmendi nga thin tank-u “European Council on Foreign Relations” në Bruksel.

Bashkim pa alternativë

Si për BE-në edhe për dhjetë shtetet që u anëtarësuan zgjerimi ishte pozitiv, thotë për DW, ekspertja Kelmendi. Rritja ekonomike në vendet e reja të anëtarësuara influencoi pozitivisht në treegun e brendshëm europian. Demokracia, shteti ligjor dhe liria e shtypit u forcuan, sipas analizave të Fondacionit Bertelsmann, institutit studimor të zhvillimeve politiko-shoqërore.

Përjashtim përbëjnë Hungaria dhe Polonia. Në të dy këto vende qeveritë u distancuan nga vlerat europiane. Në Poloni tendenca ka nisur të përmirësohet pas ndryshimit të qeverisë pas zgjedhjeve vitin e kaluar. Sipas indeksit të transformacionit të Fondacionit Bertelsman shtetet Baltike, Çekia, Sllovenia dhe Sllovakia arrijnë notën më të mirë të “konsolidimit të demokracisë”. Polonia dhe Hungaria evidentohen si “demokraci difektoze”.

Me zgjerimin e BE-së më 2004 dhe me pranimin e vonuar të Bullgarisë e Rumanisë më 2007 si dhe Kroacisë më 2013 nuk kishte alternativë, beson eksperti i BE-së Hans Kribbe nga Instituti i Brukselit për Gjeopolitikën (BIG). “Ishte e pashmangshme që të realizohej ky zgjerim si përgjigje ndaj kthesave historike dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe Bllokut Lindor”, thotë Kribbe.

Priten dy valë të reja zgjerimi

“Kommisioni i BE-së natyrisht luan rolin e vet si ithtar entuziast i zgjerimit”, mendon Hans Kribbe nga BIG në Bruksel. Por në vetvete Komisioni është i vetëdijshëm, që nga vala e madhe e zgjerimit duhen nxjerrë edhe mësimet për të ardhmen. BE-së i është dashur të mësojë në radhë të parë, se duhet të aftësohet për absorbimin e anëtarësimeve të tjera dhe duhet të bëhen në efikase procedurat dhe ecuria e procesit të zgjerimit. Deri tani për një reformë të tillë të BE-së nuk ka pasur asnjë plan dhe asnjë perspektivë kohore.

Ndërkohë që priten të tjera valë zgjerimi. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nga Bosnje-Hercegovina deri tek Shqipëria duhet të anëtarësohen. Po ashtu edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia janë vendet më të reja kandidate, që për shkak të kërcënimit nga Rusia lipset të sigurojnë një biletë ekspres anëtarësimi.

Shteteve të Ballkanit Perëndimor vazhdimisht u premtohet anëtarësimi. Afrim, negociata, përshtatje, të gjitha këto janë në proces me dekata që pas luftrave civile në ish-Jugosllavi. Kancelari Olaf Scholz vazhdimisht preferon të theksojë, se tani është koha, për të vepruar. “Unë nuk besoj, se do të ketë një tjetër Big Bang, kjo nuk do të funksionojë”, thotë Tefta Kelmendi nga European Council on Foreign Relations. Gjashtë vendet janë krejt të ndryshme sa i përket zhvillimit të tyre dhe aftësisë për anëtarësim. Ato do të pranohen njeri pas tjetrit, mendon ekspertja. Fillimisht Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Serbia dhe Kosova duhet së pari të zgjidhin konfliktin për shtetësinë e Kosovës dhe pakicat.

Por sidoqoftë nuk mund të pritet derisa të jetë zgjidhur konflikti bilateral mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo do të thotë që të mbeten peng të këtij konflikti vendet e tjera. “Mënyra se si BE përpiqet ta shfrytëzojë perspektivën e zgjerimit, për të zgjidhur problemet bilaterale, nuk i ka ndihmuar rajonit. Kjo qasje është e fokusuar më shumë tek stabilizimi dhe jo aq tek zhvillimi ekonomik.”

Anëtarësimi i Ukrainës në BE një sfidë e madhe

Krahasuar me shtetet e Ballkanit, Ukraina është vërtetë një “Big Bang” për BE-në. Mbi 40 milionë banorë, një vend gjigand agrar, më i varfëri në Europë, i rrënuar prej luftës që i imponoi Rusia. Bisedimet e anëtarësimit pritet të fillojnë me një konferencë ndërqeveritare.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen , është e sigurt, se Ukraina bën pjesë në klubin europian. “Ukraina e ka bërë zgjedhjen e saj europiane. E ju e dini çfarë do të thotë kjo. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë për Ukrainën. Po ashtu si përpara shumë vitesh kemi vendosur për të futur kaq shumë shtete në shtëpinë e përbashkët”, tha von der Leyen në Parlamentin Europian.

Pranimi i Ukrainës në BE është po aq i pashmangshëm sa edhe pranimi i dhjetë shteteve përpara 20 vjetësh, mendon eksperti i BE-së Hans Kribbe. Ky vend mbrohet ndaj Rusisë edhe për Europën. “Ukraina po bën të gjithë punën”, por në fund njerëzit duhet të binden në shtetet e BE-së për të pranuar zgjerimin. Për këtë është i nevojshëm miratimi ndoshta dikur i më shumë se 30 shteteve. Në disa vende duhet të mbahen referendume.

Për momentin, vëren Hans Kribbe, problemet e vërteta të këtij zgjerimi nuk përfliten, për të mos i trembur europianët. “Kjo është një strategji riskante. Dikur do duhet të përballemi me realitetin.” Sepse pranimi i Ukrainës mund të kërkonte një ndryshim radikal të buxhetit të BE-së. Vendet që marrin ndërkohë subvencione dhe fonde neto si p.sh. Polonia dhe Hungaria, me shumë gjasë do të duhej të paguanin për të vendosur ekulibrat ekonomiko-financiar sipas normave të bllokut në vendet e reja anëtare si Ukraina apo shtete të tjera të dobëta ekonomikisht.

Ëndrra duhet të vazhdojë

Një parashikim se kur do të bëhet zgjerimi i radhës, është e vështirë të bëhet tani, por duhet të mbetemi optimistë, mendon Jerzy Buzek, eurodeputet polak që nga 2004 kur Polonia u anëtarësua në BE. Deri në vitin 2001 ai ka qenë kryeministër dhe përgatiti anëtarësimin e vendit në BE. “Kur ne ishim të rinj, dukej sikur nuk ishte reale, por anëtarësimi u bë fakt. Kjo do të thotë, se ne duhet të vazhdojmë të ëndërrojmë dhe t’u përmbahemi ëndrrave tona”, tha Buzek në Parlamentin Europian duke iu referuar vendeve të ardhshme kandidate për antarësim.

Turqia, që negocion që nga viti 2005 për anëtarësim në BE, me gjasë nuk do të anëtarësohet. Shteti i drejtuar në mënyrë autokratike po distancohet gjithnjë e më shumë nga vlerat europiane. “Ky është një rast i pashpresë, kur bëhet fjalë për anëtarësimin”, thekson eksperti i BE-së Hans Krippe nga BIG në Bruksel. Megjithatë BE-ja duhet të ruajë marrëdhëniet e ngushta bilaterale si dhe një partneritet të privilegjuar, sepse Turqia ka një rol të rëndësishëm kyç gjeopolitik, kur është fjala për t’u mbrojtur nga Rusia apo nga valët e migracionit./DW

Hot this week

Deputeti Nikollë Camaj kujton jetën dhe veprën e atdhetarit Rrok Dedvukaj

Sot, në Amerikën e largët, i jepet lamtumira e...

Rruga Prizren -Tetovë po fillon të ndërtohet

Prizren, 2 gusht - Sot janë nënshkruar kontratat për...

Prezantohet ekrani i parë në botë me shpejtësi rifreskimi prej 1000 Hz

Monitorët më të shpejtë të disponueshëm aktualisht në treg...

Rënie prej 1.2 për qind të prodhimit industrial në muajin prill

Shkup, 31 maj - Prodhimi industrial në prill të këtij...

3 shenjat se menaxherët, jo punonjësit, janë problemi

Kur punonjësit nuk performojnë mirë, është e lehtë t’ua...
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Related Articles

spot_imgspot_img