Parku Kombëtar i Thethit, i gjendur mes Alpeve në veri të Shqipërisë, është shndërruar në destinacion të preferuar të turizmit alpin.
Turistët tashmë do të kenë mundësinë për të kaluar mbi kodrat, lumin e Thethit dhe luginën e Alpeve të Shqipërisë, duke shijuar pamjet e mrekullueshme dhe adrenalinën përmes një Zip Line të teknologjisë së fundit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga kjo përvojë “fluturimi” mbi Parkun Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë.
“Projekt i admirueshëm i Fatmir Berishta, djalit të Thethit të magjishëm e njërit nga protagonistët e Rilindjes së asaj zone si një destinacion turistik evropian i shumëkërkuar, ku tanimë një Zip Line i teknologjisë së fundit do të ofrojë një përvojë fluturimi mbi Parkun Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë”, shkruan Rama, krahas pamjeve.
Me ndërtimin e Zip Line, Thethi shton një atraksion tjetër për tërheqjen e më shumë vizitorëve dhe krijon një shans të ri për të promovuar bukuritë natyrore të kësaj zone.
Parku Kombëtar i Thethit ndodhet rreth 70 km larg Shkodrës. Ai është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë.