Derisa bota priti në ankth se çfarë do të ndodhte pas sulmit të madh të Iranit kundër Izraelit, disa vende arabe kishin ndërmarrë tashmë hapa për ta dobësuar ndikimin e tij.
Kur u qetësuan gjakrat pas sulmit të 13 prillit, u kuptua se shumica dërrmuese e qindra dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani, ishin rrëzuar nga Izraeli, aleatët e tij perëndimorë dhe nga Jordania, pavarësisht se kjo e fundit është kundërshtare e fuqishme e luftës që Izraeli po e kryen në Gazë.
Së paku dy vende të tjera arabe – Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat e kanë kritikuar ashpër luftën në Gazë dhe u janë bashkuar Iranit dhe shteteve të tjera myslimane në përpjekjet për të siguruar një armëpushim – kanë luajtur rol gjithashtu në frenimin e sulmit iranian duke ndarë informata.
Mosmbajtja anë
Veprimet e shteteve arabe sunite, që të gjitha kanë marrëdhënie të dobët me Izraelin dhe Iranin me shumicë shiite, nxitën thashetheme se ato mund të kenë zgjedhur të mbajnë anë. Por, ekspertët thonë se përfshirja e tyre në frenimin e sulmit të Iranit nuk përbën ndryshim të madh në qëndrimet e tyre – qoftë për Izraelin apo për Iranin.
“Disa shkuan aq larg, saqë thanë se ky është tregues se perceptimi i kërcënimit në mesin e vendeve arabe në lidhje me Iranin, po rritet, dhe se formula ka ndryshuar dhe se vendet arabe mund t’ia mbajnë anën Izraelit kundër Iranit”, tha Hamidreza Azizi nga Instituti Gjerman për Çështje Ndërkombëtare të Sigurisë.
“Unë nuk e shoh këtë kështu”, shtoi ai.
Azizi shpjegoi se ndihma e vendeve arabe, qoftë për t’i rrëzuar dronët ose raketat iraniane, apo për të dhënë informata “kishte të bënte më shumë me parandalimin e luftës, sesa me mbajtje anësh për njërën apo palën tjetër”.
Analisti për siguri dhe gjeopolitikë, Michael Horowitz, shkroi në X se, derisa ca vende morën pjesë, direkt ose indirekt, në përpjekje për ta kufizuar ndikimin e sulmit të Iranit, Jordania qartazi “veproi për interesat e veta”.
Të tjerët vepruan pas trysnisë së madhe nga aleati kryesor i Izraelit, SHBA-ja, tha ai, apo “nga frika e një përshkallëzimi rajonal”.
Vëzhguesit që folën për Radion Evropa e Lirë thanë se vendet arabe e dërguan një mesazh se dëshira për ta ruajtur stabilitetin rajonal dhe për ta parë një armëpushim në luftën e Gazës, është mbi të gjitha.
“Nuk shoh asnjë lloj ndryshimi në qasjen e vendeve arabe në lidhje me luftën e Izraelit në Gazë”, tha Azizi.
Në fakt, sulmi i Iranit – të cilin Teherani e kreu si përgjigje e një sulmi të dyshuar izraelit në një konsullatë iraniane në Siri më 1 prill – mund të jetë parë nga shtetet arabe si një shpërqendrim jo i mirëseardhur nga lufta në Gazë, sipas Azizit.
Pikëpamjet e tjera të rëndësishme të vendeve arabe, sipas Azizit, janë ruajtja e stabilitetit rajonal dhe shmangia e luftës me Iranin.