SHBA dhe Britania vënë sanksione të reja ndaj Iranit

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe vunë sanksione të reja ndaj Iranit në një kohë që po shtohet shqetësimi se sulmi i pashembullit i Teheranit ndaj Izraelit mund të ndezë një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit vuri sanksione ndaj 16 idividëve dhe 2 entiteteve në Iran, që prodhojnë motorë për dronët që u përdorën në sulmin e 13 prillit ndaj Izraelit.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja vendosi sanksione edhe ndaj 5 kompanive të cilat merren me prodhimin e çelikut si edhe tre degë të kompanisë së prodhimit të automobilëve Bahman Group, që akuzohet se po mbështet me materiale të ndryshme ushtrinë e Iranit, si dhe grupe të tjera ndaj të cilave janë vendosur sanksione.

Një përfaqësues i kompanisë “Bahman Group” nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e këtij lajmi.

Po ashtu, Birtania e Madhe vuri sanksione që prekin një sërë njësish ushtarake iraniane, individë dhe entitete të lidhura me industrinë iraniane për prodhimin e dronëve dhe raketave.

Presidenti Joe Biden tha përmes një deklarate se ka udhëzuar Departamentin e Thesarit të “vazhdojë të vendosë sanksione për të dëmtuar edhe më shumë industrinë ushtarake të Iranit”.

“Le ta kenë të qartë të gjithë ata që mundësojnë ose mbështesin sulmet e Iranit se ne nuk do kemi asnjë mëdyshje për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’i mbajtur përgjegjës”,
 tha ai.

Krahas sanksioneve të Departamentit të Thesarit, Departamenti i Tregtisë po vendos masa të reja për të kufizuar qasjen e Iranit ndaj teknologjisë, si për shembull pajisjeve mikroelektronike, të cilat prodhohen jashtë Shteteve të Bashkuara, por duke përdorur teknologjinë amerikane.

Masat u zbatuan pasi më herët gjatë kësaj jave zyrtarë të Shteteve të Bashkuara paralajmëruan se po përgatiteshin për vendosjen e sanksioneve të reja në përgjigje të veprimtarisë së Iranit në rajon si edhe për të parandaluar sulme në të ardhmen.

Ligjvënësit në Kongres po ashtu kanë vepruar shpejt për të çuar përpara një ligji mbi bazën e të cilit do të goditej financiarisht Republika Islamike dhe udhëheqësit e saj.

Irani ka deklaruar se veprimet erdhën në përgjigje të një sulmi të dyshuar izraelit në konsullatën e tij në Siri në fillim të muajit.

Izraeli është zotuar se do të kundërpërgjigjet ndërsa udhëheqës botërorë kanë bërë thirrje për maturi, në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Udhëheqësit e Bashkimit Europian u zotuan të mërkurën për shtimin e saksioneve ndaj Iranit, me objektiv dërgesat e tij me dronë dhe raketa për grupet e lidhura me Teheranin, në Gazë, Jemen dhe Liban.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Europian Josep Borrel tha se sanksionet të cilat janë aktualisht në fuqi do të forcohen dhe zgjerohen për të ndëshkuar Teheranin dhe për të parandaluar sulme të tjera ndaj Izraelit. Në të njëjtën kohë, tha ai, Izraeli duhet të tregohet i përmbajtur.

Hot this week

Deputeti Nikollë Camaj kujton jetën dhe veprën e atdhetarit Rrok Dedvukaj

Sot, në Amerikën e largët, i jepet lamtumira e...

Rruga Prizren -Tetovë po fillon të ndërtohet

Prizren, 2 gusht - Sot janë nënshkruar kontratat për...

Prezantohet ekrani i parë në botë me shpejtësi rifreskimi prej 1000 Hz

Monitorët më të shpejtë të disponueshëm aktualisht në treg...

Rënie prej 1.2 për qind të prodhimit industrial në muajin prill

Shkup, 31 maj - Prodhimi industrial në prill të këtij...

3 shenjat se menaxherët, jo punonjësit, janë problemi

Kur punonjësit nuk performojnë mirë, është e lehtë t’ua...
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Related Articles

spot_imgspot_img