Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha sot se LDK ka formuar 21 departamente, ndërkaq në takimin me anëtarët e Departamentit të Mbrojtjes, Anton Quni është caktuar bartës i këtij dikasteri.
Abdixhiku në një postim në Facebook tregon planet kryesore të LDK-së.
“Nga fillimi i këtij viti, LDK-ja ka formuar plot 21 departamente, nga një për secilin fushëveprim të programit politik ‘Rruga e Re’, nga një për secilin dikaster qeverisës të vizionit tonë qeverisës. Këto departamente mbajnë rreth vetes plot 1300 profesionistë të fushës, që sot ndërtojnë programin, nesër bëjnë politikën.
Dje mblodha në takimin e parë Departamentin e Mbrojtjes. Mes ushtarakëve të karrierës, profesionistëve të sigurisë, drejtësisë e vet inovacionit ushtarak e teknologjik, biseduam për gjendjen e sigurisë në vend dhe projektet tona në ‘Rrugën e Re’”, shkruan Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së tutje tregoi planet e tyre kryesore, në mbrojtje:
Rritje të buxhetit në plot 2% të vlerës së ekonomisë; në proporcion me vendet anëtare të NATO-s, përkatësisht buxhet vjetor 200 deri 300 milion euro secilin vit.
Koeficient 135-150, që nënkupton rritje të pagës për ushtarët e thjeshtë nga 616 euro sa është sot në 840.
Ristrukturimi i Forcës, nëpërmjet rritjes së ushtarëve aktiv nga 4000 sa janë sot në 6000; 3000 rezervë aktive dhe 20 mijë rezervë pasive.
Ndërtimi i 4 kazermave ushtarake në Kosovë, përkatësisht në Prizren, Gjakovë, Podujevë e Suharekë.
Ndërtimi i lagjeve ushtarake, në investime kapitale plot 50 milionë euro gjithsej; me qëllim të ofrimit të kushteve bazike për personelin ushtarak në vend.
Anton Quni është caktuar bartës i Departamentit të Mbrojtjes në LDK.