Shkup, 16 prill – Deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, e dhënë dje se vendi do të jetë një nga bashkësponzoruesit e Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, ka nxitur reagime nga Beogradi zyrtar. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, e vlerësoi si “paturpësi” dhe e pyeti nëse donte të dorëzonte një Rezolutë për gjenocidin e serbëve në Jasenovac, së bashku me Serbinë.
“Ky është cinizmi që ekziston në zonat tona, se është e rëndësishme të bëhet një politikë antiserbe dhe mbi të gjitha, ata na ftojnë të marrim pjesë në të. A duhet të jemi në anën e nazistëve që të respektohemi”, tha Daçiq në TV B92.
Vendimin e kryediplomatit shqiptar të Maqedonisë së Veriut e ka komentuar edhe ish shefi i BIA-s dhe ish ministri serb i Mbrojtjes, Aleksanda Vulin.
“Maqedonasit veriorë e dinë se vota e tyre nuk do të thotë asgjë as për emrin apo gjuhën e tyre, ata duhet të kishin abstenuar nëse nuk mund ta mbështesin Serbinë”, tha Vulin.
Ivan Stoilkoviq, kryetar i Partisë Demokratike të serbëve në Maqedoninë e Veriut ka vazhduar linjën e reagimeve nga Beogradi. “Fakti që Aliu, Bujari, Talati… punojnë kundër serbëve, të kundërtën nga vullneti i maqedonasve, është shkatërrues për shtetin”, thuhet në reagimin e Stoilkoviqit.
Maqedonia e Veriut është kosponsor, së bashku me Gjermaninë, SHBA-në dhe vende të tjera, të një Rezolute në Kombet e Bashkuara për shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1995.