Shkup, 16 prill – Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot ka vizituar Departamentin për Asgjësimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz pranë MPB, ku ka realizuar takim pune me udhëheqësinë më të gjerë të këtij Departamenti.
Siç njoftuan nga MPB, në takim ministri u informua me strukturën e Departamentit, fushëveprimin e punës dhe aktivitetet aktuale, dhe në këtë pjesë u njoftua se kanë bërë hartografimin e vendeve kritike për parregullsi të mundshme zgjedhore. Poashtu, u theksuan disa sfida me të cilat ballafaqohen në aspektin formal-juridik të Departamentit, sistematizimin e vendeve të punës dhe organizimin e njësiteve.
“Mund të konstatoj se Departamenti për Asgjësimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz, sipas specifikave të punës që kryen, duhet të jetë një njësi organizative ku do të punojnë policët më të mirë dhe më me përvojë, dhe sistematizimi i personelit të bëhet ekskluzivisht sipas sistemit të meritokracisë, e jo të ndonjë përkatësie dhe në atë drejtim në periudhën e ardhshme duhet të bëhet ristrukturimi i personelit sipas kritereve paraprakisht të përcaktuara dhe të objektivizuara”, tha ministri teknik Toshkovski.