Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka shenjëstruar tri raste të reja, ku janë të përfshirë 30 persona në vepra të ndryshme penale.
Prokuroria Speciale njofton se në rastin e parë janë përfshirë 7 persona, prej tyre 4 gjenden në paraburgim dhe tre në masën e arrestit shtëpiak për veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”, nga neni 327 i KPRK-së, “Mashtrimi”, nga neni 23 dhe “Shpëlarje e parave”, nga neni 302 i KPRK-së dhe veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.
Në këtë rast janë konfiskuar 257.540,00 euro, 7 vetura, 9 telefona, kompjuterë dhe pajisje kompjuterike, 1 armë e gjatë dhe një 1 pistoletë.
Gjithashtu, Prokuroria njofton se në rastin e dytë janë përfshirë 19 persona, 3 prej tyre gjenden në paraburgim për veprën penale “Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo të materieve plasëse”, nga neni 364 dhe 31 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.
Nga ky rast janë konfiskuar 35 armë, 4 vetura, (650, 00) euro, 2 telefona dhe fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Ndërkaq, në rastin e tretë të shenjëstruar janë të përfshirë 4 persona për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 dhe “Dhënia e ndihmës”, nga neni 33 në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.